Detaje nga aksioni policor në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme

Prishtinë | 19 Jan 2026 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria e Prishtinës e ka konfirmuar se është duke u zhvilluar një aksion ndaj katër personave, dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dy të tjerëve për pranim ryshfeti në sektorin privat.

Kallxo.com merr vesh se dy persona të kompanisë së armëve “Reload” po dyshohen për pranim ryshfeti ndërsa nga informacione brenda Policisë ka mësuar edhe emrat e të dyshuarve në MPB.B.H dhe S.B janë dy personat që aktualisht janë duke u intervistuar ndërsa ende nuk ka vendim për ndalim.

Të dy janë zyrtarë në Departamentin e Armëve në MPB.

“Pa pasë diçka konkrete, hala ne nuk kemi as vizita as kurgjo, pa pasë diçka konkrete nuk mundemi me deklaru kurgjo. Nuk kem kurgjo konkrete, nuk e dimë as për çka është t’u u bo fjalë, veç përmes gazetave e kemi pa”, thanë përmes telefonit nga Reload SH.P.K.

Ndaj katër personave, dy zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme po ndërmerren veprime hetimore për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar e dy të tjerëve për pranim ryshfeti në sektorin privat.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar policinë për të kryer një aksion policor i cili prek edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.“Konfirmojmë se është duke u zhvilluar një aksion ndaj dy personave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ne baze te nenit 414 par.1 te Kodit Penal te Republikës se Kosovës, si dhe dy persona te tjerë për veprën penale “Pranimi i ryshfetit ne sektorin privat” ne baze te nenit 309 te KPRK-se. Për me shume detaje ju njoftojmë me kohe”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Prokurorisë së Prishtinës, Kaltrina Shala.

Të ngjashme