Antropologu në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, ka dhënë detaje shtesë rreth gërmimeve që janë bërë në Kizhevak të Rashkës në Serbi prej ku u gjetën mbetje mortore që janë të shqiptarëve të Kosovës.
Haliti që ishte pjesë e delegacionit kosovar në gërmime ka thënë se nga informacionet që kanë viktimat janë bartur me një kamion afër një miniere në Kizhevak dhe janë groposur aty.
“Në Kizhevak kemi filluar gërmimet në vitin 2015, kemi punuar në vjeshtë dhe pranverë derisa dje kemi hasur në mbetje mortore, ka qenë java e tretë e punës kur kemi arritur që të gjejmë mbetje”.
“Informatat i kishim nga dëshmitari se ku ishin mbetjet, por ka kaluar gjatë kohë dhe dëshmitari nuk e dinte saktë se ku mund të jenë mbetjet. Është një terren malor që është një minierë afër ku është punuar deri në vitin 2000 dhe aty janë hedh mbetjet të ndryshme si gurë e dhe”.
“Sipas informatave që kemi viktimat janë bartur me një kamion dhe besoj se iu është dhënë urdhër nga autoritetet e atëhershme që të shkarkohen në atë minierë dhe të groposen aty”, deklaroi Haliti.
Haliti në Edicionin Special në Klan Kosova mes tjerash tregoi se nuk e dinë ende se sa trupa mund të jenë.
“Janë groposur në rreth katër metra thellësi dhe nuk e dimë ende saktë se sa trupa janë. Aty ka qenë një gropë që e kanë hapur gjatë punës dhe janë mbuluar me dheun për rreth minierës”.
Tutje Haliti tha se ekzistojnë dyshime se viktimat mund të jenë nga masakra e Rezallës.
“Ekzistojnë disa dyshime se Kizhevaku e ka një lidhje me Rudnicën që kanë përfunduar gërmimet në vitin 2014, disa prej viktimave në Rezallë janë të zhdukur mund të dyshojmë se disa nga viktimat të gjenden në Kizhevak”.
Haliti theksoi se si delegacion kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e punimeve.
“Puna ndërpritet menjëherë si të gjenden mbetjet kockore, prokuroria e Serbisë tashmë i jep mandatin Gjykatës që të vendos rreth punimeve”.
“Ne kemi shprehur gatishmërinë që menjëherë të vazhdojmë me punën në terren por kjo nuk është kompetencë e jona”.
Haliti ka folur edhe rreth identifikimit të viktimave.
“Sa më shumë që kalon kohë identifikimi vështirësohet por në kuptimin e analizës së mbetjeve është e pranueshme 20 vjet. Mbetjet duhet të pastrohen, rrobat duhet larguar dhe pastaj të merret mostra kockore që do të dërgohen në Komitetin ndërkombëtar për të pagjeturit, ku janë edhe mostrat e gjakut të familjarëve të të zhdukurve”, deklaroi Haliti.