Drejtori i repartit të Klinikës Kirurgjike, Zejn Buja në emisionin #gjesi në T7 ka dhënë detaje lidhur me gjendjen e pacientëve që janë duke u trajtuar në këtë klinikë pas shpërthimit të djeshëm që ka ndodhur në Ferizaj, raporton Gazeta Express.
Buja ka thënë se një numër i madh i pacientëve është transferuar në këtë klinikë dje pas shpërthimit.
Ai thotë se i gjithë stafi ka dalë në punë pas shpërthimit, e në të njëjtën kohë janë kryer katër operime të pacientëve që janë në gjendje të rëndë.
Gjashtë prej tyre sipas doktorit kanë djegie të rënda.
“Një numër i madh i pacientëve është transferuar këtu. Të gjithë mjekët janë mobilizuar për pak minuta dhe kemi arritë në punë. Bëhet fjalë për djegie të shkallës së tretë, kemi arritur t’i hapim katër salla operative në të njejtën kohë. Kemi trajtuar pacientë në të katërt këto salla.
Gjithsej ne dje kemi trajtuar 14 pacientë, gjithsej 6 prej tyre kanë djegie të rënda”, ka thënë ai.
Buja ka shtuar se gjendja e 8 pacientëve tjerë është relativisht e mirë.
“I kemi udhëzuar të trajtohen në mjekimin intenziv, tetë të tjerë janë duke u trajtuar në Klinikën tonë. Gjendja e tyre është relativisht e mirë, por, mund të ndryshojë nga qasti në qast”, shton ai.
Pas shpërthimit, në orët e vona, Buja thotë se është mbledhë kolegjiumi i mjekëve e ku është diskutuar mundësia që gjashtë pacientë të dërgohen në Turqi për shërim.
“Dje në orët e vona së bashku me udhëheqësin e mjekimit intensiv kemi mbarë një kolegjium së bashku me Klinikën tonë, për shkak të gjendjes së rëndë kemi vendosur që ëkëta të trajtohen jashtë vendit.
Kemi një paciente që është 2001-sh, pjesa tjetër janë në moshë mesatare. Gjendja e saj është në gjendje të rëndë”, thotë ai.
Doktori ka pasur një thirrje për qeverinë.
“Duhet me na ndihmu ta krijojmë qendrën për djegie, ne kemi staf të trajnuar, por na mungon qendra, të gjitha shërbimet do t’i merrnin atëherë në Kosovë, ju lutem na ndihmoni ta krijojmë këtë qendër”, ka thënë ai.