Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me grabitjen që përfundoi me vrasje në Mitrovicë.
Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se për këtë rast janë arrestuar dy të dyshuar, derisa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar arma e përdorur në rast dhe dy gëzhoja.
Me vendim të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Rr. Mbretëresha Teutë, Mitrovicë Jugu, 28.12.2021-22:23. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që gjatë një grabitje në një lokal, njëri prej tyre ka shtënë me armë në drejtim të pronarit të lokalit-viktimës mashkull kosovar. Viktima është dërguar në Spitalin e Mitrovicës ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar armën e përdorur ne rast dhe dy gëzhoja. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion ndërsa, të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndryshe, një grabitje e armatosur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, ka përfunduar me vrasje. I vdekur ka mbetur pronari i lokalit, meqenëse s’ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa-Hakaj.
“Mund të konfirmoj se një person i plagosur, që kishte ardhur për trajtim, ka ndërruar jetë. Meqë tash ka ndodhur e gjithë ngjarja, nuk mund të deklaroj informacione tjera”, ka deklaruar mbrëmë Mustafa-Hakaj.