Detyrimet politike të opozitës

Prishtinë | 18 Tet 2023 | 09:56 | Nga Afrim Kasolli

Në politikë nuk ekzistojnë detyrime të dhëna njëherë e përgjithmonë. Ato krijohen nga aksionet dhe reaksionet vazhdueshme. Në këtë kontekst, duke filluar nga dje opozitës kosovare i është imponuar një detyrim dhe obligim i “ri”. Si ta kontestojë në aspektin kushtetues vendimin e paprecedent të Presidentes Vjosa Osmani për ta mbajtur vakant pozitën e Kryeprokurorit të shtetit.

E gjithë konferenca e saj për shtyp dje reflektonte pasigurinë, ankthin, frikën, traumën dhe bindjen e saj të thellë se ai njoftim presidencial nuk ishte në koherencë me normat kushtetuese në vend. Se kishte qenë e “obliguar” ta bënë të gjë të tillë për arsye politike që vetëm ajo i ka të “njohura”.

Sidoqoftë, ky vendim kontrovers duhet të marrë epilog vetëm në Gjykatën e Kushtetuese. Është vetëm kjo instancë që në fund të fundit i verifikon pretendimet juridike të të gjitha palëve. Prandaj, është obligim shtetëror dhe kushtetues që opozita ta dërgojë këtë lëndë. Ajo nuk guxon ta anashkalojë guximin politik të të parës së shtetit për të vendosur në mënyrë arbitrare, voluntariste dhe mbi bazën e preferencave individuale dhe partiake politike.

Nëse partitë parlamentare opozitare nuk janë në gjendje për ta adresuar këtë kauzë si duhet, ato nuk kanë nevojë të funksionojnë vetëm si dekor i demokracisë. Duhet të pajtohen që shefja e shtetit ka të drejta absolute. Të abdikojnë nga pozitat e tyre. Dhe po ashtu të pajtohen që institucionet tjera të pavarura kushtetuese të shuhen. Para tyre më shumë se kurrë është shtruar kuptimi i ekzistencës së tyre politike. A janë aty për të mbrojtur demokracinë apo vetveten. Sepse e para nuk është asgjë tjetër, pos vullnet dhe përcaktim politik kundër ligjit të sundimtarit për hir të sundimit të ligjit.

Dhe kjo betejë është bërë vendimtare. A do të jetë unike opozita në këtë mision mbetet të shihet. Ndonëse nga indikacionet e para ka pak gjasa. Kryetari i LDK-së, Lumir Abigjiku gjatë gjithë kohës me anë të spitullimeve të tij politike po mundohet ta shfaq vetën si ndryshëm. Se nuk mund të ketë opozitë unike. Dhe se ai po ua ofron qytetarëve “rrugën e re” si shpëtim. Pavarësisht faktit se ai program nuk është asgjë tjetër pos një gjellë e vjetër në një garniturë të re. Dhe se me këtë spektakël për të qenë i ndryshëm nga opozita ai po dëshmon vetëm se sa i ngjashëm është me pushtetin.

Si do të veprojë PDK dhe AAK mbetet të shihet. E para tashmë nëpërmjet avokatit të saj Faton Fetahu, ka dëshmuar se ka kapacitete profesionale për ta adresuar këtë lëndë, sikur se shumë tjera para saj. Nevojitet vetëm vullnet politik. Kurse a do ta gjejë këtë fundit apo do t’i nënshtrohen shantazhit të Presidentes për t’u mos u ballafaquar me të politikisht s’është ende e qartë. Por një gjë është i sigurt nëse ky vendim i çuditshëm i Presidentes përfundon në Gjykatë dhe verifikohet se është kundërshtim me normat kushtetuese ajo më nuk do e jetë në gjendje ta bëjë asnjë betejë politike. Përkundrazi, do të hynte në histori dy herë si shkelëse e kushtetues për herë interesa politike. Herën e parë në mënyrë indirekte se pse nuk kishte në gjendje ta këshillonte si duhet ish-shefin e saj Fatmir Sejdiu dhe tani për të mbrojtur vullnetin politik të shefit të saj real Kryeministrit Kurti se kush duhet te jetë dhe të mos jetë Kryeprokuror. Ky do ishte një fund i palavdishëm edhe për një laik në çështjet juridike e lërë më për ata që pretendojnë se janë ekspertë të dalluar të kësaj fushe.

Të ngjashme