Pas takimit në Bruksel, zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Gjeorgjisë janë shprehur të kënaqur me përparimin e bërë në zbatimin e Marrëveshjes së tyre të Asociimit dhe janë zotuar për thellim të bashkëpunimit.
“Gjeorgjia është një partner i çmuar për Bashkimin Evropian dhe ne besojmë se është interes i yni të vazhdojmë të investojmë në miqësinë tonë”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, teksa foli së bashku me kryeministrin gjeorgjian, Giorgi Kvirikashvili.
Mogherini kryesoi sesionin e katërt të Këshillit të Asociimit midis BE-së dhe Gjeorgjisë, ndërsa Kvirikashvili udhëhoqi delegacionin e Gjeorgjisë.
Mogherini tha se palët janë pajtuar për nevojën që të garantohet një mjedis gjithëpërfshirës politik në Gjeorgji, të promovohen media të lira dhe të pavarura dhe të respektohet sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit.
Ajo tha se BE do ta vazhdojë mbështetjen për Tbilisin në këtë rrugë.
Gjeorgjia, për kohë të gjatë, ka kërkuar marrëdhënie më të afërta me BE-në, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Moskës për të rrritur ndikimin e saj atje.