(Nga Tom Standage, redaktor i “The World Ahead 2022”, The Economist)
Nëse viti 2021 ishte viti kur bota u bë më e aftë për t’u përballur me pandeminë, në vitin 2022, do të mbizotërojë nevoja për t’u përshtatur me realitetin e ri, si në fushat që janë ndryshuar nga kriza (bota e re e punës, e ardhmja e udhëtimit) dhe në dukuritë më të thella, si ndryshimet klimatike apo rritja e Kinës. Më poshtë janë dhjetë tendencat që duhen vëzhguar në vitin e ardhshëm.
1 – Demokracia kundër autokracisë. Zgjedhjet e ndërmjetme në Amerikë dhe Kongresi i Partisë Komuniste në Kinë do të krijojnë një kontrast të thellë midis dy sistemeve politike rivale. Cili është sistemi më i mirë për të ofruar stabilitet, rritje dhe risi? Ky rivalitet do të jetë i dukshëm në çdo fushë, nga tregtia, te teknologjia, vaksinimet dhe stacionet hapësinore. Ndërsa presidenti Joe Biden po përpiqet të bashkojë botën e lirë nën flamurin e demokracisë, vendi i tij jofunksional dhe i përçarë nuk është aspak një reklamë tërheqëse për këtë fushatë.
2 – Nga pandemi në endemi. Po prodhohen pilula të reja antivirale, trajtime më të mira të antitrupave dhe më shumë vaksina. Për njerëzit e vaksinuar në vendet e zhvilluara, virusi nuk do të jetë më kërcënues për jetën. Por do të përbëjë ende një rrezik vdekjeprurës në botën në zhvillim. Nëse nuk mund të shtohen vaksinat, Covid-19 do të jetë një nga shumë sëmundjet endemike që prekin të varfrit, dhe jo të pasurit.
3 – Shqetësimet për inflacionin. Ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rritja e kërkesës për energji kanë rritur çmimet. Bankierët qendrorë thonë se kjo është e përkohshme, por jo të gjithë e besojnë një gjë të tillë. Britania është në rrezik të veçantë, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore pas Brexit dhe varësisë së madhe nga gazi natyror i shtrenjtë.
4 – E ardhmja e punës. Tashmë ekziston një konsensus i gjerë se e ardhmja është “hibride” dhe më shumë njerëz do të punojnë nga shtëpia. Por ka shumë hapësirë për mosmarrëveshje për sa u përket detajeve. Për shembull, sa ditë do të punojnë nga shtëpia dhe sa në zyrë? Dhe a mund të realizohet në një mënyrë të drejtë? Sondazhet tregojnë se gratë janë më pak të prirura për t’u kthyer në zyrë, kështu që ato rrezikojnë të mos kenë të njëjtat mundësi për ngritje në detyrë. Ka debate gjithashtu në lidhje me rregullat tatimore dhe monitorimin e punonjësve në distancë.
5 – Përballja teknologjike. Rregullatorët në Amerikë dhe Europë janë përpjekur prej kohësh të frenojnë gjigantët e teknologjisë, por ende nuk kanë krijuar dot një pengesë në rritjen apo fitimet e tyre. Tani Kina ka marrë drejtimin, duke u dhënë firmave të saj teknologjike një goditje brutale. Presidenti Xi Jinping dëshiron që ato të përqendrohen në “teknologjinë e thellë” që ofron avantazhe gjeostrategjike, jo në kotësira si lojërat dhe blerjet online. Por a do të nxisë kjo risinë kineze, apo do të pengojë dinamizmin e industrisë?
6 – Rritja e kriptomonedhave. Ashtu si me të gjitha teknologjitë e reja, rregullatorët po shtrëngojnë rregullat edhe ndaj përdorimit të kriptomonedhave. Bankat qendrore po kërkojnë edhe të lançojnë monedhat e tyre të centralizuara dixhitale. Rezultati do të jetë një luftë në tre drejtime për të ardhmen e financave që do të intensifikohet në vitin 2022 – midis kriptomonedhave, bllokut të financave të decentralizuara dhe kompanive më tradicionale të teknologjisë dhe bankave qendrore.
7 – Kriza e klimës. Edhe pse zjarret, valët e të nxehtit dhe përmbytjet po shtohen gjithnjë e më tepër, çuditërisht, vihet re mungesa e një ndjenje urgjence midis politikanëve, kur bëhet fjalë për luftimin e ndryshimeve klimatike. Për më tepër, dekarbonizimi kërkon që Perëndimi dhe Kina të bashkëpunojnë midis tyre, ndërkohë që rivaliteti i tyre gjeopolitik po thellohet. Duhet ndjekur ecuria e ekipit kërkimor të gjeo-inxhinierisë diellore në Harvard. Në vitin 2022, ata dëshirojnë të testojnë përdorimin e një “balone” në lartësi të madhe, e cila do të çlirojë pluhur në hapësirë për të bllokuar dritën e diellit. Kjo teknikë mund t’i mundësojë botës më tepër kohë për të realizuar procesin e dekarbonizimit.
8 – Problemet me udhëtimin. Aktiviteti po rritet me rihapjen e ekonomive. Por vendet që ndoqën një strategji “zero-covid”, si Australia dhe Zelanda e Re, përballen me detyrën e ndërlikuar të menaxhimit të tranzicionit, në një botë ku virusi është endemik. Ndërkohë, pothuajse gjysma e udhëtimeve të biznesit janë zhdukur përgjithmonë. Kjo është diçka e mirë për planetin, por jo për turistët, udhëtimet e të cilëve subvencionohen nga udhëtarët e biznesit që kryejnë shpenzime të larta.
9 – Gara hapësinore. Viti 2022 do të jetë viti i parë kur më shumë njerëz do të shkojnë në hapësirë si pasagjerë me pagesë, sesa si punonjës të qeverisë. Kina do të përfundojë stacionin e saj të ri hapësinor. Krijuesit e filmave po konkurrojnë për të krijuar filma në Zero-G. Dhe NASA do të përplasë një sondë hapësinore me një asteroid, në një mision hapësinor që tingëllon si një film Hollivudi.
10 – Futbolli politik. Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin dhe Kupa Botërore e Futbollit në Katar na kujtojnë se si sporti mund të bashkojë botën, por edhe se si ngjarjet e mëdha sportive shpesh përfundojnë duke u kthyer në futboll politik. Parashikohet të ketë protesta ndaj të dyja vendeve organizatore, megjithëse bojkotet nga ekipet kombëtare duken të pamundura.