Uji në 10 shkolla fillore në Komunën e Vitisë rezulton të jetë i kontaminuar, në bazë të raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Rrjedhimisht, sipas këtij Instituti, ai nuk guxon që të përdoret për pije.
Uji i kontaminuar është në shkollat: “Kenan Halimi” (Gjylekar), “Nazmi Pajaziti” (Radivojc), “Dëshmorët e Kombit” (Podgorc), “Bafti Haxhiu”(Ramnishtë), “Ahmet Hajdari” (Beguncë), “Mirali Sejdiu” (Gërmovë), paralelja e ndarë “Mirali Sejdiu” (Goshicë), “Skënder Emërllahu” (Fshati i Ri), paralelja e ndarë “Skënder Emerllahu” (Ramjan) dhe “Njazi Rexhepi” (Sllatinë e Poshtme), shkruan sot “Koha Ditore”.
Këto shkolla furnizohen me ujë të pijes nga puset dhe për shkak se këto puse nuk janë të siguruara mirë në aspektin teknik ka bërë që të depërtojnë ujërat atmosferikë dhe ujërat e kanalizimit duke shkaktuar kontaminim në fjalë. Institutit i Shëndetit Publik ka kërkuar nga Komuna e Vitisë që të bëjë pastrimin dhe klorizimin e këtyre puseve.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Arsimit e ka konfirmuar se problemet janë vetëm në shkollat që furnizohen nga puset. Ata janë zotuar se do të marrin masa për pastrimin e ujit në 10 shkolla fillore, të cilat gjenden në zonën rurale.