Dhjetë të vdekur nga shembja e digës në Rusi

Prishtinë | 19 Tet 2019 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

Së paku dhjetë persona kanë vdekur dhe 15 të tjerë janë lënduar për shkak të shembjes së një dige në rajonin Krasnoyarsk të Rusisë. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Situatave Emergjente e këtij shteti.

Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, raportoi të shtunën se 15 persona të tjerë mbesin të zhdukur nga kjo fatkeqësi e ndodhur në lumin “Seyba”.

Ministria tha se shembja e digës ndodhi në orën gjashtë të mëngjesit sipas kohës lokale në fshatin Schetinkino, rreth 260 kilometra në jug të qytetit Krasnoyarsk.

Në njoftim thuhet se pranë kësaj dige ishin duke punuar 270 punëtorë, ndërsa shembja e saj e ka shkaktuar vërshimin e dy vendbanimeve të përkohshme.

Sipas raportimeve, diga e shembur ishte në pronësi të një kompanie që merret me nxjerrjen e arit. Nuk janë dhënë hollësi të tjera, përpos që ekipet e shpëtimit dhe policia kanë shkuar në vendin ku ndodhi fatkeqësia, shkruan “Free Europe”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme