Dhjetë vjet president i Sllovenisë, Pahor vendos të largohet nga politika

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 11:14 | Nga Ekonomia Online

Presidenti slloven Borut Pahor, mandati i dytë radhazi i të cilit skadon vitin e ardhshëm, tha se nuk e ka në plan të vazhdojë të merret me politikën sllovene dhe se është i kënaqur me atë që e ka arritur në dhjetë vjet si president.

“Është shumë e rëndësishme për mua të bëj punën time deri në ditën e fundit të vitit të ardhshëm, në mënyrë që të largohem nga ky vend i kënaqur”, tha ai në një intervistë tradicionale të Vitit të Ri për televizionin publik slloven.

“Më pas, pas dhjetë vitesh, do të mund të them me vete: mund të largoheni me ndërgjegje të pastër”, tha Pahor.

“Nuk kam më plane të lidhura me politikën sllovene”, tha Pahor, i cili do të mbushë 59 vjeç pas largimit nga presidenca, pa komentuar se çfarë do të bëjë më vonë.

Së bashku me kryeministrin Janez Jansha, 5 vjet më i madh, Pahor është një nga politikanët sllovenë më jetëgjatë të kësaj gjenerate.

Ai filloi të merret me politikë menjëherë pas studimeve në Fakultetin e Shkencave Politike. Gjatë karrierës së tij ai mbajti një sërë postesh politike.

Ai ishte Kryetar i Parlamentit, Kryeministër, por edhe lider i opozitës dhe deputet disa herë në Parlamentin Evropian, pas së cilës fitoi zgjedhjet parlamentare të 2012-ës.

Sllovenia vitin e ardhshëm do të shkojë në zgjedhje tri herë, fillimisht në zgjedhjet parlamentare dhe në vjeshtë në zgjedhjet presidenciale dhe më pas ato lokale.

Pahor ishte në Kosovë në fund të nëntorit për një vizitë zyrtare. Gjatë konferencës së përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, ai tha se Kosova duhet të përkushtohet në dialog që t’i mbyllë të gjitha çështjet me Serbinë.

Presidentit slloven aty ia kishte vëmendjen fotografia e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Pahor tha se ajo fotografi ia kujtoi takimet me Rugovën, ndërsa tha se e pyet veten se si do të sillej ai në rrethanat aktuale me të cilat po përballet Kosova.

“Po e shoh fotografinë e Ibrahim Rugovës këtu. I kujtoj takimet e shumta me të dhe e pyes veten, në këto rrethana, ai a do t’i shihte këto probleme si mundësi për zhvillimin e Kosovës, për të ardhmen e saj, apo do t’i shqyrtonte ndryshe”, ka deklaruar Pahor.

Ai e ka quajtur Rugovën burrë shteti, ndërsa shprehej i bindur se përkundër të gjitha problemeve, ai do të shihte mundësi për t’i zgjidhur ato.

“Sa kam pasur mundësinë ta njoh këtë burrë shteti, jam i bindur se përkundër të gjitha problemeve që i ka Kosova, ai do të shihte shumë mundësi për zgjidhjen e problemeve. Dhe ai do të bënte që ky vullnet të punonte për të gjithë”, është shprehur presidenti slloven.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme