Dhjetëra të vdekur nga moti i keq dhe temperaturat e larta

Prishtinë | 29 Maj 2017 | 18:43 | Nga

Të paktën 23 persona kanë vdekur nga rrufetë dhe reshjet e rrëmbyeshme të cilat për 24 orë kanë goditur shtetin verior të Indisë, Bihar, raporton Anadolu Agency (AA).

Një përfaqësues i Zyrës Lokale për Menaxhimin e Emergjencave, Anirudh Kumar, ka bërë të ditur se së paku 18 persona janë vrarë nga rrufeja, ndërsa pesë të tjerë kanë vdekur si pasojë e shembjes së mureve nga reshjet e rrëmbyeshme.

Sezoni i musonëve në Indi zgjat nga maji deri në shtator, ndërsa edhe vitin e kaluar një stuhi në muajin qershor e shoqëruar me rrufe kishte vrarë të paktën 50 njerëz në Bihar.

Sipas shifrave zyrtare, në Indi çdo vit nga rrufeja goditen për vdekje mesatarisht 2.000 njerëz.

Krahas reshjeve të rrëmbyeshme në Bihar, banorët e krahinave të tjera indiane janë përballur me një valë të madhe të temperaturave të larta.

Vala e ngrohtë në ditët e fundit ka shkaktuar vdekjen e të paktën 12 personave në shtetin lindor Odisha. Ndërkaq, temperatura më e lartë e ditës është matur në qytetin Çuru në shtetin Raxhastan, duke arritur në 47 gradë Celsius.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme