Dhjetëra të vdekur nga përplasja e trenit me furgon në Pakistan

Prishtinë | 04 Kor 2020 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Së paku 22 njerëz humbën jetën dhe disa u plagosën, pasi një tren goditi një furgon që bartte pelegrinë të komunitetit Sikh, në verilindje të Pakistanit.

Zyrtarët thanë se përplasja ka ndodhur të premten pranë qytetit Sheikhupura, të provincës Punxhab.

Policia tha se pelegrinët ishin banorë të qytetit veriperëndimor të Peshauarit, ku jeton shumica e afro 40,000 anëtarëve të pakicës Sikh të Pakistanit.

Sipas raporteve të disa mediave, të gjitha viktimat – në mesin e tyre gra dhe fëmijë – i përkisnin së njëjtës familje.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, shprehu pikëllimin e tij dhe tha se siguria hekurudhore e Pakistanit do të rishikohet.

Aksidentet e trenave janë të shpeshta në Pakistan, përfshirë edhe përplasjet midis automjeteve dhe trenave.

Në muajin shkurt, 19 njerëz u raportuan të vrarë pasi një tren u përplas me një autobus që transportonte pasagjerë në jug të Pakistanit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme