Dhuna e përjetuar në familje, ka ndikuar që numri i grave që kërkojnë strehim në “shtëpitë e sigurta”, të rritet.
Sakibe Doli, konsulente e strehimores “Shtëpia e sigurt’’ në Gjakovë, i tha Radios Evropa e Lirë se numri i grave që kërkojnë strehim nëpër shtëpi të sigurta në gjithë Kosovën, është 10 për qind më i madh krahasuar me vitin e kaluar. Sipas saj, arsyeja pse kjo po ndodh, mund të ndërlidhet me frikën që kanë për jetën e tyre gratë që përjetojnë dhunë.
Në njërin nga bilbordet e vendosura në Prishtinë shkruan: “Edhe sa thirrje të humbura”
“Këtë vit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rritur për 10 për qind numri i grave në strehimore. Shkaku ndërlidhet me frikën nga rastet që kanë ndodhur pas vrasjeve të grave (me probleme të tilla). Sidomos rasti i fundit në Gjakovë (kur burri kishte vrarë gruan dhe vajzën). Andaj edhe kanë marrë guximin të raportojnë për dhunën dhe kanë zgjedhur strehimoret për të qenë më të sigurta, karshi familjes së tyre”, tha Doli.