Dhuna e burrave ndaj grave çështje e shëndetit publik

Prishtinë | 26 Nën 2020 | 08:03 | Nga Ekonomia Online

Shumë aktivitete, tryeza e diskutime janë mbajtur me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, me ç ‘rast është thënë se ky fenomen duhet të çrrënjoset tërësisht. Kjo fushatë e cila ka filluar me 25 nëntor do të përfundon me 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Dhuna në familje ose dhuna e burrave ndaj grave është një problem i përhapur në mbarë botën dhe çdo vit përmes kësaj fushate anembanë botës bëhen thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin dhe për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Suedi, Shkendije Geci-Sherifi, e cila mori pjesë në një diskutim që u organizua nga studentët e universitetit prestigjioz Linneaus University në Suedi, në projektin e quajtur RISE. (Çohu! Dhuna e burrave ndaj grave DUHET të ndalet), tha se “duhet të punohet në mënyrë të vazhdueshme që gratë të realizojnë të drejtat e tyre dhe dhuna të parandalohet”.

Ajo në diskutimin e saj përmendi edhe punën e palodhur të organizatave joqeveritare të grave në Kosovë, që sipas saj, kanë bërë një punë shumë të madhe përgjatë viteve, në mbrojtjen, strehimin dhe kujdesin e të gjitha grave dhe vajzave , që kanë ra pre e dhunës në familje.

Në fjalën e saj para të pranishmëve ambasadorja Geci-Sherifi, foli për infrastrukturën ligjore në Kosovë, për të drejtat e gruas, për Konventat Ndërkombëtare si dhe progresin e ndjeshëm që është bërë në kuptimin e ngritjes së vetëdijes dhe rritjes së numrit të raportimeve të rasteve të dhunës në familje.

“Fakti se dhuna raportohet, do të thotë se kjo çështje nuk perceptohet më si diçka që duhet mbajtur brenda familjes, mirëpo, ana tjetër e medaljes është se fakti që ka raportime, d.m.th ka dhunë. Për këtë arsye, duhet të punohet në mënyrë të vazhdueshme, që gratë të realizojnë të drejtat e tyre dhe dhuna të parandalohet”, tha ajo, raporton Telegrafi.

Ndërkaq, organizatorja dhe prezantuesja e këtij diskutimi Diana Tahiri- studente nga Kosova në Master në Sociologji në Universitetit Linneaus, tha se dhuna në familje ose dhuna e burrave ndaj grave është një problem i përhapur si në Suedi, por edhe në botë.

Ky fenomen, sipas saj, ndodh në të gjitha klasat shoqërore pavarësisht nga mosha, arsimi, feja, statusi ekonomik, etnia apo identiteti kulturor; dhe shumica e viktimave janë gra, dhe kjo do të thotë që dhuna e burrave ndaj grave nuk është vetëm vuajtje mendore dhe fizike, por një çështje e shëndetit publik.

“Për shkak të ditës ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe një javë të lirë nga dhuna, ne si student të universitetit prestigjioz Linneaus University në Suedi, kemi organizuar projektin të quajtur RISE. (Çohu! Dhuna e burrave ndaj grave DUHET të ndalet). Qëllimi i kësaj ideje është të krijojë vetëdije dhe njohuri në lidhje me dhunën në marrëdhëniet e ngushta dhe pasojat e saj”, tha ajo.

Dhuna e burrave ndaj grave dhe dhuna në marrëdhëniet e ngushta, sipas saj, është sot e njohur politikisht si një problem i përhapur i shëndetit publik.

“Sidoqoftë, dhuna e burrave ndaj grave dhe dhuna në marrëdhënie të ngushta nuk është një fenomen i ri, ai ka ekzistuar gjatë gjithë historisë, por pikëpamjet mbi problemin kanë qenë të ndryshme. Ligjërimi për këtë çështje ka ndryshuar edhe në Kosovë. Ndërgjegjësimi për problemin dhe pasojat e tij. ka ndikuar në pikëpamjen e shoqërisë, ndër të tjera, se kush është përgjegjës për dhunën dhe gjithashtu se çfarë ndërhyrje duhet të ofrojë shoqëria për ata që janë të prekshëm. Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Burrave, pra, krijon një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin e çështjes. Duke diskutuar temën dhe pasojat e saj, ndryshon edhe pikëpamja se si shoqëria duhet të punojë në mënyrë parandaluese”.

Me vite, shtoi Diana Tahiri, se interesi për njohuri rreth dhunës së burrave ndaj grave është rritur, pjesërisht për të gjetur burime për t’iu kundërvënë dhunës, por siç tha ajo “edhe për të rritur aftësinë për të zbuluar problemin dhe për të eliminuar dhunën në një fazë parandaluese”.

Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe Aurora Pirraku-Kriminologe, e cila tha se në fushën e kërkimit psikologjik dhe sociologjik, është treguar se dhuna e burrave ndaj grave mund të shpjegohet pjesërisht në baza te ndryshme.

Kemi tri nivele që duhet përmendur si ‘Niveli individual’, ku hynë çrregullimet e personalitetit, mungesa e kontrollit të impulsit dhe dhuna gjatë fëmijërisë, mund të jenë shkaqet themelore të vetë-dhunës. “Niveli strukturor’ ku dhuna nuk është aq e dukshme, por ndodh në marrëdhëniet në çift ku mund të ketë disa autorë të krimit dhe ku mund të përfshihen disa të afërm, dhe “Niveli kulturor ku dhuna është e endur në shoqëri ku marrëdhëniet gjinore, normat, veprimet dhe sjelljet e pranuara, japin arsye për dhunën e burrave ndaj grave.

Ajo tha një shembull duke thënë se ‘nëse gruaja nënshtrohet vullnetit të burrit ose familja legjitimon veprimet e tij, mund të kontribuojë në rivendosjen e dhunës. Nga ana tjetër, nëse mjedisi dënon veprimet e burrit, rreziku i dhunës është më i vogël’.

Por cilat janë pasojat e dhunës, kriminologja Pirraku, tha se hulumtimet në fushën e sociologjisë dhe të psikologjisë besojnë që rreziku për t’u bërë një autor i krimit dhe viktimë, është më i madh nëse vetë individi ose ajo vetë ka dëshmuar dhunë në një marrëdhënie të ngushta.

“Fëmijët që kanë dëshmuar/ dëshmojnë dhunë në një marrëdhënie të ngushtë, rrezikojnë të dëmtohen si në planin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë. Këta fëmijë gjithashtu rrezikojnë rritjen e vështirësive somatike, psikologjike, të sjelljes dhe njohjes; të tilla si ankthi, shqetësimi, depresioni, vetëvlerësimi i ulët dhe sjellja vetë-dëmtuese. Dëshmitari i dhunës rrit gjithashtu rrezikun e të mësuarit shoqëror, veçanërisht për djemtë që vëzhgojnë dhunën si një veprim pozitiv. Kjo formë e të mësuarit instrumental mund të rezultojë në një metodë të dhunshme disiplinimi për rritjen e fëmijëve në të ardhmen, e cila me fjalë të tjera mund të bëhet një sjellje shkakësore”, tha ajo, duke shtuar se dhuna e burrave pra nuk është vetëm një vuajtje mendore dhe fizike, por një çështje e shëndet publik.

Ajo përmendi fatin se në Suedi çdo vit vdesin nga 20 gra nga dhuna, vetëm pse janë gra, kurse gjatë kohës së pandemisë, sipas saj, dhuna ndaj grave është rritur për 30%.

Përndryshe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë OBSH, dhuna e burrave është një kërcënim për shëndetin dhe mirëqenien e grave ne shoqëri, dhe jo vetëm.

Pra, me fjalë të tjera, ndërgjegjësimi është e domosdoshme, sepse gratë nuk mund të lirohen nga dhuna dhe kërcënimet derisa të ekzistojë një barazi në shoqëri, e cila mund të arrihet vetëm kur dhuna të eliminohet nga jeta e grave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme