Në kohën kur Coronavirusi ka shkaktuar viktima të shumta në të gjithë botën, policia në disa vende ka zbatuar ndëshkime që parashikojnë poshtërim dhe dhimbje, në mënyrë që karantina të respektohej, shpesh me pëlqimin e qeverive.
Shkelësit janë detyruar të kërcejnë në ajër duke bërtitur “duhet të qëndroj në shtëpi”, kanë bërë ushtrime palestre dhe pozicione joga të improvizuara.
Por, në këtë situatë nuk ka asgjë për të qeshur. Në rastet më të këqija, autoritetet kanë lejuar përdorimin e shkopit të gomës deri në një nivel të patolerueshëm. Në Kenia, një 13-vjeçar është vrarë nga përdorimi i tepërt i dhunës. Ai po përpiqej të kapte tragetin e fundit për t’u kthyer në shtëpi dhe të respektonte rregullat. Shefi i policisë dha dorëheqjen dhe Presidenti i vendit kërkoi falje, por ai nuk është më, transmeton Tch.
Në internet janë shfaqur xhirime që tregojnë brutalitetin e forcave të rendit. Vendet më të dalluara për shkelje të të drejtave të njeriut janë India, Filipinet, El Salvadori dhe Kenia.
Pamje tepër shokuese erdhën nga El Salvadori, teksa dhjetra të arrestuar, gjysmë të zhveshur, u futën në një qeli dhe u detyruan të qëndronin në dysheme. Imazhet janë publikuar nga Presidenti i vendit, i cili shprehet krenar për këtë sjellje të autoriteteve.
Në Indi janë dëshmuar ndëshkime nga më të çuditshmet, nga goditjet me shkop gome, deri tek dezinfektimi i shkelësve të karantinës me detergjent të dëmshëm për njeriun.