Këngëtarja e njohur shqiptare, Dhurata Dora, nga sot (e mërkurë) është bërë zyrtarisht Ambasadore e Vullnetit të Mirë të SOS Fshatrave të Fëmijëve të Kosovës.
Ajo ka realizuar një vizitë të veçantë në SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë, ku i ka gëzuar fëmijët me prezencën e saj.
SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë publikuan disa fotografi nga takimi i sotëm i fëmijëve me këngëtaren, të cilët edhe kanë dhuruar një shfaqje të përgatitur për të pranishmit në event.
Foto: SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë/Facebook
Ky është shkrimi i tyre i plotë (pa ndërhyrje):
“Dhurata Dora, Ambasadore e Vullnetit të Mirë e SOS Fshatrave të Fëmijëve Kosovë.
Miqtë dhe donatorët e SOS Fshatrave të Fëmijëve Kosovë u mblodhën sot për të shënuar miqësinë, miqësi kjo e cila në vazhdimësi është forcuar, sidomos gjatë periudhës së vështirë me pandeminë e kur ne kishim nevojë më shumë se asnjëherë për përkrahje. Në ngjarjen e organizuar në SOS Fshat nën emrin “Miq Përgjithmonë”, Drejtori Nacional i SOS Fshatrave të Fëmijëve, Znj. Nezahat Ramadani Salihu falënderoi miqtë tanë që na u gjenden pranë në ditë të vështira.
E përveç falënderimeve për miqtë tanë, kishim kënaqësinë që të kemi edhe artisten Kosovare, këngëtaren tanimë me famë botërore, Dhurata Dora. Gjatë kësaj ngjarje, Dhurata, si një mike e kamotshme e SOS Fshatit na nderoi duke pranuar që të bëhet Ambasadore e Vullnetit të Mirë të SOS Fshatrave të Fëmijëve Kosovë, dhe të bëhet zëri i fëmijëve tanë për një të ardhme më të mirë.
Në një fjale rasti, Dhurata nën emocione tha se është nder dhe privilegj që të bëhet zëri i SOS Fshatrave të Fëmijëve. Ajo theksoi se secili duhet të angazhohet që fëmijët të jenë thjeshtë fëmijë edhe të ndjekin ëndrrat e tyre.
Për përkrahjen ndër vite, folën edhe Begym Uzun nga Limak Kosovo dhe Vllanzim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ku ndanë përvojat e tyre rreth përkrahjes që kanë ofruar ndër vite për SOS Fshatin.
E dy moderatorët e rijnë pjesë të projektit #YEEP, Adelajda dhe Vigani me shumë profesionalizëm dhe qetësi e moderuan këtë ngjarje.
E këtë takim mes miqsh, e shfrytëzuam që të bëjmë edhe hapjen e këndit për donacione, “Gifts4Kids” ku njerëzit vullnet mirë mund të dhurojnë për fëmijët tanë dhe po ashtu të marrin mbrapa një dhuratë simbolike si shenjë falënderimi për kontributin e tyre.
Shumë nga punimet që gjenden në këndin e donacionit janë punë dore e fëmijëve tanë përmes punëtorisë “Made in Kosova” dhe punime të tjera të bëra nga duart e arta të përfituesve tanë.
Artistët e Shkolla e Muzikës “Amadeus” Music School performuan për miqtë tanë përderisa balerinat e talentuara të Studio Baleti “Behia’s Dance” na nderuan me një pikë baleti.
E në fund fare, mes shume diskutimeve për bashkëpunime dhe përkrahje, Sidorela, Durimi dhe Arbnor, më këngë të vjetra qytetare dhe me një performance të jashtëzakonshme u kujdesen që miqtë tanë të shijojnë një pasdite të këndshme në ambientet tona”, shkruan SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.