Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut ka organizuar aksion për dhurimin e gjakut nga veteranët e luftës së Komunës së Prishtinës, me rastin e Ditës së Dëshmorëve, raporton Ekonomia Online.
Menaxheri i marketingut nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut, Fadil Mahmuti, ka thënë se kjo nuk është hera e parë që veteranët e luftës shprehin gatishmërinë për të dhuruar gjak.
Ai tha se kjo tashmë është kthyer në traditë.
“Një ekip i Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të gjakut sot është e vendosur pranë bustit të komandantit “Zahir Pajaziti” ku dhe për të satën herë me radhë organizojmë aksione në këtë ditë të njëjtë e cila është bërë edhe tradicionale ku pjesëtarët e UÇK-së të Komunës së Prishtinës dhe veteranët e kësaj komune dhurojnë gjak në mënyrë tradicionale, mirëpo këtij aksioni i bashkëngjitën edhe qytetarët” tha Mahmuti.
Ai për Ekonomia Online tha se përpos veteranëve të luftës, interesimi i qytetarëve për dhurim të gjakut është i madh.
“Veteranët dhurojnë gjak, jo vetëm këtu, por shpesh herë ndodhë vijnë edhe në qendrën tonë ku dhurojnë gjak. Vazhdimisht kalimtarët e rastit dhe ata të cilët shohin se ekipi ynë është i vendosur këtu, vijnë kontrollohen, i bëjnë të gjitha kontrollet dhe nëse janë të aftë gjithsesi dhurojnë” deklaroi Mahmuti.