Komuna e Prishtinës për 4 vite radhazi organizon dhurimin e gjakut në shenjë nderimi për banorët e lagjes “Tauk Bahce” që 19 vjet më parë ishin dëbuar nga forcat serbe si dhe për 74 veprimtarët që ishin vrarë në parkun e kësaj lagje, në vitin 1944, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Prishtinës, Arben Vitia, tha se për herë të katërt radhazi nga komuna e Prishtinës mbahet aktiviteti për dhurim të gjakut për personat e dëbuar dhe të vrarë.
Ai tha se ky aktivitet është i rëndësishëm për të përkujtuar dëshmorët që dhanë jetën për të arritur Kosova këtu ku është.
“Sot është viti i katërt që me iniciativën e këshillit të banorëve në lagjen “Tauk Bahçe” dhe “ Sofali” po e mbajmë këtë aktivitet. Aktiviteti është për të dhuruar gjak me rastin e shënimit të 19-vjetorit të masakrës së fundit në luftën e fundit në Kosovë dhe përkujtimit të 74 dëshmorëve të pushkatuar në vitin 1944. Komuna e Prishtinës është pra hera e katërt qe i përgjigjet këtij aktiviteti dhe është një aktivitet i rëndësishëm për të përkujtuar dhe mos të harruar dëshmorët dhe ata që dhanë jetën për të arritur këtu ku jemi, dhe për të dërguar një mesazh i cili është i rëndësishëm për të dhuruar gjak dhe për të shpëtuar jetë”, ka thënë Vitia.
Ndërsa Enver Denica, sekretar i Lëvizje Vetëvendosje për lagjen “Sofali”, ka theksuar se ne jo vetëm sot duhet të dhurojmë gjak për të kujtuar të vrarët por ai tha se me gjakun e tyre duhet të ndihmohën edhe nevojtarët.
“Sot është 19 vjet kur forcat serbe kanë dëbuar gjithë popullatën e kësaj pjese dhe kanë lënë dhjetëra viktima mbrapa, njëherit dhe 72 vjetori i vrasjes së 74 veprimtarëve në këtë vend ku jemi na. Ne po mendojmë të dërgojmë një mesazh që jo vetëm këto ditë të veçanta të deklarohemi po të ju ndihmojmë atyre që kanë nevojë me gjakun tonë”.