Në kuadër të Ditës Botërore për Përkujtimin e Viktimave të Trafikut Rrugor, në sheshin “Zahir Pajaziti” u organizua dita për dhurimin e gjakut për personat e lënduar në aksidente trafiku, e cila në krejt botën shënohet të dielën e tretë e muajit nëntor.
Fadil Mahmuti, menagjer në qendrën e Transfuzionit të Gjakut, në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, se thirrjes për dhurim të gjakut i janë përgjigjur një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.
“Kemi filluar qysh në mëngjes me ekip dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë lajmëruar për të dhuruar gjak dhe se presim që gjatë ditës të rritet ky numër. Ne për çdo ditë jemi në teren me një ekip, e shumë shpesh me dy ekipe, varësisht prej kërkesave dhe ne kemi planprogramin vjetor me të cilin veprojmë ”, u shpreh Mahmuti.
Xhevdet Toqani, njëri nga qytetarët që dhuroi gjak, tha se kjo nuk është hera e parë që bën një gjë të tillë, duke thënë se është hera e katërt që dhuron gjak.
Ky aktivitet është organizuar nga Policia e Kosovës, OSBE-ja, Kolegji i Shkencave të Aplikuara “Tempulli” dhe KUSA. Aktivitetet kanë filluar dje dhe do të zgjasin deri të dielën.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Qendrën për Transfuzionin e Gjakut, rreth 80 për qind e nevojave të pacientëve, i mbulojnë dhuruesit vullnetarë të gjakut, derisa për 20 për qind të pacientëve, ende vazhdojnë t’i mbulojnë familjarët.