Dialog në Bruksel apo konferencë ndërkombëtare

Prishtinë | 09 Nën 2019 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Thirrjet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, tashmë ua kanë bërë të qartë të dy vendeve që një dialog i tillë është i pashmangshëm dhe se duhet t’i krijojnë parakushtet për të, vlerësojnë njohësi e zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Serbi.

Por, sipas tyre, tashmë në opinion ekzistojnë dilemat nëse dialogu i ardhshëm do ta ruajë formatin që ka pasur, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian ose ky format do të evoluojë, apo do të ketë ndonjë konferencë ndërkombëtare, transmeton REL.

Politologu Ramush Tahiri, shpreh mendimin që formati i dialogut i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është i mjaftueshëm për të vazhduar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse që të dy vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij, deri më tash, formati i dialogut nuk ka qenë pengesë për të shënuar përparim, por pengesë kanë qenë sjelljet e Serbisë dhe Kosovës, pritjet e tyre nga ky dialog si dhe platformat e të dy vendeve që janë krejtësisht në kundërshtim me njëra-tjetrën.

“Si duken gjasat, (dialogu) do të vazhdojë në formatin e vjetër, sepse Bashkimi Evropian nuk dëshiron që të humbë shansin që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet. Ndërsa, parametrat për dialog tashmë janë përcaktuar, sidomos nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që thonë se dialogu duhet të prodhojë njohjen reciproke dhe dialogu duhet të sjellë normalizim e marrëdhënieve. Bashkimi Evropian, duke mos dashur të paragjykojë, nuk po e përmend njohjen reciproke, por po e përmend vetëm normalizimin e marrëdhënieve”, theksoi Tahiri

Ai shtoi se në çfarëdo formati tjetër që mund të zhvillojnë dialogun Kosova dhe Serbia, nuk e garanton ndonjë marrëveshje, sepse marrëveshja synohet të jetë një lloj kompromisi, por i cili nuk i cenon interesat e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe që e minimizon shtetësinë e saj.

Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, megjithatë shpreh mendimin që në praktikë, tashmë është duke ndodhur ndryshimi i formatit të dialogut. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë që ky ndryshim nuk nënkupton domosdo daljen nga korniza për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por, sipas tij, tashmë është e qartë që përfaqësuesit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qoftë për dialogun dhe qoftë për Ballkanin, do të jenë të përfshirë në procesin e dialogut, për shkak se dialogu ka dy dimensione, atë bilateral Kosovë-Serbi, por edhe atë të ndikimit në rajon, në mënyrë që përmes bashkëpunimit rajonal të lehtësohet gjetja e zgjidhjeve për çështje të caktuara.

“Pra, ky është ai formati i ri. Nuk përjashtohet që edhe Bashkimi Evropian, i cili e ka lehtësuesin kryesor të dialogut – e ky do të jetë Komisari për marrëdhënie ndërkombëtare ose Komisari për zgjerim dhe për këtë mbetet ende të vendoset – të ketë pranë vetes edhe të dërguarin special për dialogun, siç është (Richard) Grenell, në kuptimin që të përcjellë dinamikën e dialogut dhe të jetë i pranishëm në takimet e palëve, në mënyrë që t’i ndihmojë ato”, tha Janjiq.

Ndërkaq, Janjiq, vlerëson që ideja për një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ekziston që moti. Por, sipas tij, një ide e tillë i përjashton obligimet e deritashme për palët në dialogun e deritashëm në Bruksel.

“Ajo që mund të lajmërohet është çështja se a dëshirohet më shumë se sa ratifikimi në Asamblenë e Përgjithshme (të Kombeve të Bashkuara) i marrëveshjes eventuale. Në rast se dëshirohet vetëm kjo, marrë parasysh që ky dialog zhvillohet duke u bazuar në vendimin e Asamblesë së Përgjithshme, atëherë Rusia nuk është fare e nevojshme në këtë dialog. Por, nëse ekziston ambicia – kjo para së gjithash varet nga Amerika dhe Brukseli dhe më së paku nga Prishtina dhe Beogradi – që të përfshihet Rusia, në mënyrë që më pas të ndryshohet edhe rezoluta në Këshillin e Sigurimit, në atë rast është e mundur që të paraqitet një mekanizëm i sekretariatit, në të cilin do të ishte edhe Rusia. Mbase edhe ndonjë konferencë ‘ad hock’, në fund të procesit, ku do të komunikoheshin rezultatet për të cilat është arritur pajtim. Kjo e dyta më duket mjaft e komplikuar dhe nëse kuptohet dinamika e punës së Administratës amerikane, është gati se mision i pamundur”, vlerësoi Janjiq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme