Dialogu është proces i pakapërcyeshëm për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi dhe qartësimi i qëndrimeve nga ana e Qeverisë Kurti, është më se i nevojshëm sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, raporton Ekonomia Online.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), tha në një prononcim për Ekonomia Online se takimi i 15 qershorit Kurti-Vuçiq është lajm i mirë sepse dialogu është i domosdoshëm për të afirmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Madje sipas tij, kjo do të ndikojë sidomos për ta avancuar për anëtarësim të mundshëm në OKB si dhe për të përshpejtuar perspektivën evropiane.
“Nuk e kemi një rezultat të matshëm në kuptimin që përpos takimit që ishte lajm i mirë në vetvete pasiqë pas një kohe të gjatë Kosova dhe Serbia u rikthyen në tavolinën e diskutimeve dhe kjo është një hap i mirë pasiqë kemi parë që dialogu është i pakapërcyeshme për të zgjidhur problemin Kosovë-Serbi dhe për të afirmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare sidomos për ta avancuar për një anëtarësim të mundshëm në OKB si dhe për të hapur perspektiven evropiane”, është shprehur ai.
Sipas Fetahut takimi ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe u karakterizua me mospajtime e qëndrime të kundërta.
“Pati mospajtime nga të dyja palët dhe besoj që kjo është thelbi i takimit Kurti-Vuçiq në këtë raund të parë, pasiqë të dyja palët shfaqën mospajtime të tyre, qëndrime diametralisht të kundërta dhe jemi duke e parë e jemi dëshmitarë që Kosova e Serbia kanë qëndrime që vështirë i përafrojnë për të arritur një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse e cila po motohet tash e disa vite. Lajm i mirë është që po vazhdohet me diskutime tutje dhe ndoshta me një dinamikë të re të negociatave më një përfshirje më të madhe edhe të ShBA-së dhe me qëndrime më konstruktive nga të dyja palët mund të ecet tutje për të hapur shtigje për pajtueshmëri aty ku ka hapësirë”.
Ai thotë se e ardhmja e dialogut duket mjaftë e paqartë dhe se pritet që edhe në negociatat tjera të ketë një tempo me tension ndërmjet të dy palëve.
“Ndërsa sa i përket vazhdimit tutje të negociatave pa dashur të paragjykojmë vazhdimin besoj që do të jetë një tempo me tension të mëtejshëm në mes të dy palëve, marrë parasysh edhe propozimin e Kurtit bërë Serbisë dhe reagimin e saj dhe duke marrë parasysh që Serbia tash e sa kohë heziton që ta përfshijë njohjen e Kosovës si pjesë të marrëveshjes”.
“Në anën tjetër kemi hezitimin e Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, me kompetenca ekzekutive kësisoj edhe këto dy pozicione dhe e ardhmja e dialogut dhe raundet tjera duken mjaftë të paqarta dhe është ambiguiditeti ai që do ta karakterizojë edhe raundin tjetër të dialogut dhe takimin tjetër të radhës”.
Ndërsa, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Ekonomia Online se BE-ja e ka mirëpritur takimin e 15 qershor në Bruksel në kuptimin e asaj që pati një takim dhe u dakorduan për një tjetër.
Sipas Krasniqit, kryeministri Kurti duhet të ofrojë më shumë sqarime e shpjegime për strategjinë e vazhdimit të këtij dialogu.
“Takimi i 15 qershorit ishte takimi i parë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë Vuçiq, ne pamë që pala kosovare shpërfaqi vizonin e saj apo se si e sheh këtë proces dhe si duhet të eci përpara me të. Ashtu edhe prisnim që mund të ndodhte sepse kryeministri Kurti edhe para se të shkonte në Bruksel e bëri të qartë që ai nuk do ta vazhdojë dialogun aty ku e ka lënë ish-kryeministri Hoti, por do të shkoj dhe do të tregoj se çfarë pret kjo Qeveri, si e sheh kjo Qeveri këtë dialog duke thënë se ky tashmë është një dialog i ri.
“Nga ana tjetër pamë që Bashkimi Evropian e mirëpriti këtë takim në sensin që të dy palët u takuan dhe kishte edhe një datë të dytë. Ajo çfarë ne dimë është Kosova paraqiti katër pika për të cilat vlerësoj që kryeministri Kurti duhet të jap më shumë detaje, pra se çfarë ka menduar më shumë në ato pika dhe si e sheh këtë proces në përgjithësi në kuptimin e asaj që këto katër pika duhet të jenë pjesë e një marrëveshje, pra cila është strategjia me tej. Kjo është diçka që ne duhet të presim më shumë sqarime e shpjegime nga ana e kryeministrit Kurti në ditët në vijim” është shprehur ajo.
Gjithashtu Krasniqi ka shprehur mendimin se para takimit të radhës priten komunikime tjera ndërmjet Kosovës e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak në shërbim të parapërgatitjes për negociata.
“Takimi i radhës pritet me25 korrik siç u tha, ky takim ishte aty ku dyja palët shprehën qëndrime të tyre por nuk kishte një dakordim. Mund të presim që deri më 25 korrik të ketë një presion apo tentativa nga Bashkimi Evropian, nga emisari Lajçak që të përafrojë agjendën apo të ndërtoj një agjendë ku të dyja palët mund të kenë ndonjë qëndrim të përbashkët”.
“Është më së e qartë se nuk mund të flasim për takime të njëpasnjëshme ku palët shprehin qëndrimet e tyre por ato janë shumë të kundërta. Mund të presim që mund të ketë sërish vizita nga zori Lajçak apo komunikime edhe nëse jo fizike me zyrën qoftë të kryeministrit Kurti apo edhe të presidentit Vuçiq për të parapërgatitur takimin”, ka përfunduar ajo për EO.