Faza finale e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë diskutimi në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG).
Labinot Greiçevci nga RIDEA, organizator i konferencës “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, prezantoi rezultatet e një studimi i cili është realizuar për këtë çështje, raporton Ekonomia Online.
Greiçevci tha se skenari që është mbështetur më së shumti nga të intervistuarit është normalizimi i marrëdhënieve përmes një traktati dhe njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Në konferencë u tha se nga të intervistuarit më së paku është përkrahur skenari për korrigjime të reja territoriale mes Kosovës dhe Serbisë, që do të përfshinte Mitrovicën dhe Luginën e Preshevës.
Greiçevci shtoi se ky skenar është i rrezikshëm.
“Ky skenar është më i rrezikshmi. Sipas intervistuesve do të çonte në konflikt të ri eventual. Një skenar i tillë do të çonte në kthimin e viteve të 90-ta. Edhe nëse ndodh një skenar i tillë, kjo mund të diskutohet vetëm pas njohjes reciproke.”
Si rekomandime u dhanë që Kosova duhet të zgjidhë të gjitha çështjet dypalëshe me Serbinë. Kosova duhet të kërkojë një marrëveshje për njohje të plotë. Njohja reciproke është e domosdoshme. Të mos ndiqet skenari i parë dhe i tretë, por skenari i parë.
Sipas studimit, 1 nga 5 të intervistuarit konsideron që dialogu ka pasur ndikim negativ në integrimin e komuniteteve; 1 në 6 mendojnë se dialogu ka pasur ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik.