Mbajtja e zgjedhjeve për pushtet nacional në Kosovë duket se do ta vë në pauzë dialogun me Serbinë.
Të premten, zyrtarë të Bashkimit Evropian nuk kanë treguar nëse do të thërrasin ndonjë rreth të ri të bisedimeve të cilat ata i lehtësojnë.
Kurse përcjellësit e bisedimeve kosovaro-serbe thonë se fati i këtij procesi më shumë se kurrë më parë varet nga rezultati i votimeve që pritet të mbahen më 14 shkurt si dhe më pas zgjedhja e presidentit të ri.
“ Zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe kërkimi pasues për një shumicë parlamentare të nevojshme për të zgjedhur një President të ri, duhet të çojë në përfundim ose të paktën zvogëlim të përçarjes që deri më tani e pengoi Kosovën të ishte palë e barabartë në negociata me Serbinë. Shpresoj që së shpejti pas 20 janarit, Amerika dhe Evropa të bashkojnë forcat për rivendosje reale të negociatave, bazuar në parime të qarta që do ta bënin më të lehtë për partitë e Kosovës bashkimin e forcave, në vend që të minojnë pozicionin e Kosovës në Bruksel” thotë Bodo Weber, ekspert gjerman për Ballkanin.
Nga ana e saj hulumtuesja në KDI-së, Violeta Haxholli, pohon se shpesh procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi bie në kriza për shkak të zhvillimeve politike sidomos në Prishtinë.
Edhe ajo mendon se varet shumë nga rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare si dhe aktivizimi i Administratës së re amerikane, se çfarë qasje konkrete ky proces do të marrë.
Demokrati Joe Biden betohet me 20 janar president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me mandat katërvjeçar.
Në nivel liderësh në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova e Serbia u takuan në Bruksel më 7 shtator 2020.