Kryetarja e Partisë Alternativa, Mimoza Kusari, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi po e kërcënon kryeministrin Ramush Haradinaj, me ndërrim të Qeverisë derisa ky i fundit sipas saj, nuk duket i bindur në deklaratat e tij kundër ndryshimit të kufijve duke ju frikësuar humbjes së pushtetit, raporton Ekonomia Online.
“Qëndrimi jonë është se në të gjithë këtë luftë për pushtet të dy krerëve të shtetit Presidentit dhe Kryeministrit, humb qytetari i Kosovës dhe natyrisht dëmtohet sovraniteti i Republikës. Ajo çfarë ne po shohim, është një kërcënim i vazhdueshëm i presidentit për ndërrim të qeverisë ose duke e shfrytëzuar indirekt forcën e tij politike në ish-partin e tij dhe një kryeministri i cili ndihet i shantazhuar nga kjo për arsye se shkon me deklarata për ruajtje të sovranitetit territorial të Kosovës, por nuk shkon deri në fund në atë se çfarë janë bindjet e tij për këtë çështje, duke ju frikuar humbjes së pushtetit”, tha ajo.
Sipas saj, tema e dialogut është keqmenaxhim i qeverisë dhe si e tillë po i humb kohë Kosovës.
“Prandaj, kemi dy krerë të pushtetit të kapur me pozitat e tyre apo me privilegjet që ofrojnë këto pozita në dëm të sovranitetit të shtetit dhe në dëm të proceseve në Kosovë. Ajo çfarë mund të them është se Kosova është tërësisht e bllokuar në proceset zhvillimore, dhe krejt çka e preokupon sot agjendën politike në Kosovë tek institucionet më të larta, është çështja e dialogut”.
“Është një bllokim i tërësishëm i të gjitha proceseve tjera, një keqmenaxhim nga ana e qeverisë dhe një humbje e madhe e kohës që po i bëhet Kosovës vetëm si pasojë e luftës në mes të individëve të caktuar për pushtet”, tha Kusari.
Ndërkaq deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri deklaratat mes presidentit dhe kryeministrit i quajti terrorizuese e që sipas saj dialogu po mbetet nën hijen e këtyre deklaratave.
“Fatkeqësisht deklaratat e muajve të fundit të presidentit të cilat tash po bëhen për muaj të tërë po e terrorizojnë tërë Kosovën dhe qytetarët e saj. Ndërsa kohën e fundit kanë kaluar në kërcënime të njeri tjetrit nga presidenti në kryeministrin dhe këtu vjen duke u zbardhur enigma e presidentit të këtij koalicioni Qeverisës”.
“Që çfarë fshihet pas këtyre deklaratave dhe veprimeve e që fatkeqësisht çështja me rëndësi siç është dialogu dhe territori i vendit mbeten ne hije duke bërë këta pazaret e tyre dhe duke u munduar që vërtet tërë procesin ta kthejnë në përfitime personale, qoftë atyre të bajraktarëve qoftë të shpëtimit të lëkurës së tyre, dhe kjo është e pafalshme”, tha ajo.
Sipas Gaxherrit procesi i dialogut me Serbinë është degraduar dhe si i tillë po e dëmton vendin, raporton EO.
“Përkundër asaj pune të vështirë dhe të mundimshme për këtë Republikë me aleatët ndërkombëtarë në mënyrë të veçante me ShBA-në. Ne vërtet ende kemi pasur injorim në mënyrë të veçante nga Serbia dhe disa shtete siç është Rusia dhe aleatet e tjerë të Serbisë, që të mos ta njohin Republikën e Kosovës që ta pengojnë zhvillimin e saj”.
“Kësaj radhe fatkeqësisht Presidenti i vendit i jep me kuptuar gjithë faktorit ndërkombëtarë që Kosova ende nuk është shtet. Për të, mund të bisedohet ende, dhe kjo është e pafalshme dhe këtë nuk ja fal qytetari i Republikës së Kosovës askujt, as institucioneve, as kujtdo që gabon”, tha ajo.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë shfaqur kundërthënës sa i përket idesë së korrigjimit të kufirit në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.