Respektimi i të drejtave të njeriut dhe të gjitha Konventave të Këshillit të Evropës janë kushtet esenciale për anëtarësim në këtë mekanizëm.
Madje njohës të çështjeve ndërkombëtare po vlerësojnë se tani është momenti i duhur për anëtarësim marr për bazë rrethanat politike në vend e rajon e më gjerë.
Ibrahim Gashi, profesor universitar në një intervistë për Ekonomia Online tha se i nevojshëm është edhe propozimi i një anëtari të Këshillit, duke shtuar se edhe pse janë bërë disa hapa nuk ka pasur asnjë nismë nga qeveritë paraprake për anëtarësim.
“Sigurisht në aspektin formal Kosova mundet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, nuk ka ndonjë rregull strikt që e ndalon Kosovën. Kosova sigurisht që duhet të përgatitet për këtë, por para të gjithash në Këshillin e Evropës mund të anëtarësohet një vend i cili respekton në plotni të drejtat e njeriut, respekton të gjitha Konventat e Këshillit të Evropës dhe rrjedhimisht ka një vend anëtar i Këshillit të Evropës, i cili e propozon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.
“… në planin formal nuk ka ndonjë pengesë dhe unë mendoj që është momenti i duhur që Kosova të nis procedurat për anëtarësim sigurisht që së paku qe 7, 8 vite është përmendur ideja. Qeveritë e mëhershme kanë bërë disa hapa, por nuk kemi pasur nismë konkrete, formale për anëtarësim”.
Gashi ka shpjeguar procedurat për anëtarësim që duhet të respektohen e që marrin kohë gati një vjet.
Fillimisht ai thotë se propozimi duhet të bëhet në njërën nga mbledhjet e Këshillit të Ministrave e më pas edhe në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare për ratifikim.
“Ka një procedurë që në kuptimin formal dhe kohorë merr gati një vit kohë, sepse mbledhjet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm janë dy herë në vit. Si kundër që edhe mbledhjet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës janë dy herë në vit. Kjo i bie që nëse propozimi vije në njërën nga mbledhjet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm atëherë duhet pritur mbledhja e radhës e Asamblesë Parlamentare për të ndodh ratifikimi”.
Gashi thotë se dialogu me Serbinë mund të ketë ndikim për anëtarësim, pasi në Këshillin e Evropës anëtar janë edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Në mënyrë indirekte mund të ketë ndikim, në mënyrë direkte nuk do të duhej të kishte. Mirëpo, në mënyrë indirekte edhe mund të ketë sepse vendet anëtare të Këshillit të Evropës janë shumë, në fakt janë edhe vende që nuk janë pjesë të Bashkimit Evropian, që nuk janë pjesë as të NATO-s, aty është edhe Rusia edhe Bjellorusia, aty janë edhe vende që nuk e kanë njohur Kosovën si Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia, Rumania. Normalisht që nuk është krejt e është, ato mund të kërkojnë vazhdimin e dialogut si parakusht normalizimin e marrëdhënieve të Kosovën me Serbinë për të procedu pastaj në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.
Edhe politilogu Arbnor Sadiku, thotë se dialogu Kosovë-Serbi ka ndikuar në anëtarësimin e shtetit në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
“Sigurisht që dialogu Kosovë-Serbi deri më tani ka pasur ndikim në anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare për arsye se Serbia ka lobuar tek shtetet e saj mike le të themi”.
“Meqenëse tani kemi gjendjen e luftës në Ukrainë dhe Rusi, konsideroj që imazhi i Rusisë si shtet është kogja shumë i dëmtuar në organizatat ndërkombëtare veçanërisht në Këshillin e Evropës dhe këtë situatë do të duhej ta shfrytëzonin Ministria e Punëve të Jashtme, Qeveri e Republikës së Kosovës në kuptimin e asaj që të kërkojë nga shtetet që mos të bien në ndikimin e Rusisë dhe njëfarë forme edhe këto pesë shtete që kanë qenë mos njohëse të Kosovës”.
Sipas tij, edhe sundimi i ligjit në vend është ndër kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës, raporton EO.
“Po realisht në bazë të statutit se si funksionon Këshilli i Evropës, çdo shtet evropian i cili përmbush kriteret, respekton të drejtat e njeriut dhe ka sundim të ligjit brenda atij vendi e ka të drejtën e plotë për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.
“Vendimi kryesisht merret me dy të tretat e anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të cilat i rekomandohen komisionit i cili realisht funksionon në kuadër të Këshillit të Evropës apo këshillit i cili në njëfarë forme përbëhet nga Ministrat e Jashtëm. Kushtet kryesore për çdo shtet evropian janë respektimi i plotë i të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit”.