Situata e me pandeminë COVID-19, bëri që diaspora të mos mund të vijë këtë vit në Kosovë, mirëpo pavarësisht kësaj, ata dërguan mjaftë para në shtetin e tyre.
Për shkak të pandemisë COVID-19, gjatë këtij viti bashkatdhetarët nuk kanë mundur të vijnë në Kosovë sikurse në të kaluarën. Mirëpo, pavarësisht kësaj ata janë përkujdesur që të sjellin mjaftë para në Kosovë, duke e vërtetuar edhe një herë që investojnë në vendin e tyre.
Në një përgjigje për lajmi.net, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kanë bërë të ditur se nga janari deri në muajin gusht të këtij viti, mërgata ka dërguar plotë 606.5 milionë euro.
Sipas BQK-së, këtë vit remitencat nga mërgata kanë qenë për 53.4 milionë më shumë se në periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar.
“Në periudhën janar-gusht 2020, vlera e remitencave arriti në shumën prej 606.5 milionë euro. Kjo vlerë është për 53.4 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ku remitencat ishin 553.1 milionë euro. Referuar shumës prej 606.5 milionë, 88.8 milionë euro u dërguan përmes bankave komerciale, 433.2 milionë euro u dërguan përmes agjencive për transferim të mjeteve si (Ëestern Union, MoneyGram Kosovë, e të ngjashëm). Gjithashtu, 84.5 milionë euro u dërguan përmes kanalit joformal (p.sh. bartje e parave në xhepa)”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Po ashtu BQK-ja ka bërë të ditur se më së shumti para janë dërguar nga Gjermania, Zvicra, Austria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca.
“Sa i përket shteteve prej nga dërgohen më së shumti remitenca, prijnë ato gjermanofolëse (Gjermania, Zvicra, Austria), pastaj SHBA-ja dhe Franca”, kanë bërë të ditur për lajmi.net nga BQK-ja.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, më së shumti para janë dërguar në muajin maj.
Në maj të këtij vitit, diaspora kishte dërguar në Kosovë plotë 104 milionë dhe në muajin korrik 92.3 milionë euro.