Me ftesë të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, së bashku me oficerë korrektues të inteligjencës, po marrin pjesë në Konferencën Vjetore të Shoqatës Korrektuese Amerikane (ACA), e cila po zhvillohet në Orlando, Florida, raporton Ekonomia Online.
Në njoftim theksohet se kjo konferencë, një nga më të rëndësishmet në fushën e sistemit korrektues, ofron një platformë të shkëlqyer për shkëmbimin e përvojave dhe ideve midis drejtuesve të shërbimeve korrektuese nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Gjatë pjesëmarrjes së tij, drejtori Dibrani ka zhvilluar takime të rëndësishme, duke përfshirë edhe takimin me presidentin e ri të Shoqatës Ndërkombëtare të Shërbimeve Korrektuese(ACA), z. Ricky D. Dixon. Ai gjithashtu ka bashkëbiseduar me udhëheqës të tjerë të shërbimeve korrektuese nga SHBA dhe vendet tjera, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë sektor. Ky është një rast i veçantë për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar praktikat më të mira në këtë fushë.
Gjithashtu, konferenca përfshin panele, ligjërata dhe seanca të shumta që trajtojnë tema të rëndësishme. Disa prej tyre përfshijnë sigurinë në burgje, programet rehabilituese, teknologjinë informative, shëndetin mendor, menaxhimin e institucioneve korrektuese dhe njësitë ekonomike, si dhe shumë çështje të tjera relevante.
Ambasada e SHBA-së mbetet partneri ynë kryesor në përpjekjet për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës.