Diçka për atentatin ndaj Azem Vllasit

Prishtinë | 17 Mar 2017 | 15:59 | Nga Iliri Mirena

Shpesh më ka rastisur ta shoh Azem Vllasin në qendër të Prishtinës, herë nëpër kafene – e herë në shesh. Dukej se jetonte, si secili, i lirë dhe me punët e veta. Por, edhe jepte opinione, këshilla politike nëpër media dhe tryeza të ndryshme. Deri në mëngjesin e 13 marsit kur Murat Jashari i kishte trokitur në derë.

Kur u dha lajmi për plagosjen e tij, besoj pakkush, e edhe unë, menduam se sulmi ishte i motivuar politikisht.

Atentati ndaj një ish-lideri të Jugosllavisë në Kosovë, që karrierën e ka përfunduar diku para tri dekadash, ndau në dysh një pjesë të opinionit. Ata që e kishin pësuar rëndë në kohën kur Vllasi ishte në pushtet nuk ndienin keqardhje për të. Dhe, nuk e fshihnin këtë. Të tjerët e gjykonin aktin vetvetiu, ndërsa atentatori u shpall person i krisur dhe depresiv.

Çështja ngjanë të jetë më komplekse se sa interpretimi i thjesht i një sulmi nga një njeri në depresion ndaj një ish-politikani që politikisht i ka perënduar koha që moti.

Sulmi si i tillë dhe motivi që i pandehuri e ka bërë publik, mbetet i papranueshëm në rrethanat e sotme. Mendoj, është akt ndaj një personi, që në një kohë mund të ketë pasur përgjegjësi a fajin për të bëmat e veta, por jemi në vitin 2017, dhe hakmarrja e pas 30 viteve duket e pakuptimtë. Të paktën për mua. Edhe në qoftë se dikush do të ofronte dëshmi të palëkundura që Vllasi ka kryer krime ndaj kundërshtarëve politikë të asaj kohe, në ditët e sotme gjykata do të duhej të ishte alternativa e vetme.

Por, si t’i mbushet mendja dikujt i cili si i ri mund të jetë dënuar me disa vite burg për shkrimin e një parulle politike? Si t’i mbushet mendja që kasta politike shqiptare nuk kishte gisht në shkatërrimin e jetës së tij dhe të qytetarëve të tjerë të Kosovës së asaj kohe, pasojat e së cilës i ndiejmë edhe sot? Azem Vllasi asokohe ishte në maje të pushtetit.

Është mirë të provojmë të shohim edhe përmes dioptrisë së një të burgosuri politik të atyre viteve.

Në stadin e tanishëm, jemi shoqëri që pothuajse më nuk besojmë në asgjë. Nuk kemi ndonjë busullë vlerash, çfarëdo qofshin ato, morale, fetare, a ideologjike. Busulla jonë mbetet “ku rafsha mos u vrafsha”. Në lirinë tonë të pakufizuar prej skrupujve moral, secili mundohemi të bëjmë atë që mundemi, indiferent për pasojat që lëmë rreth nesh.

Si e tillë, kjo gjendje u bë terren ideal për shpërfaqjen publike të krejt grupeve sociale të mundshme, prej atyre politike, fetare, kulturore e deri tek ato kriminale – që të gjithë, pa dallim, të mbështjellë me petkun e atdhedashurisë dhe të mirës së vendit. Në këtë çoroditje sociale, sigurisht pati hise edhe për ish-shërbyesit besnikë të regjimit jugosllavë dhe serbë. Pse jo edhe ata? Bile, ata edhe u inkurajuan.

Bashkë me kastën e re politike të pasluftës ata zbarkuan krah për krah nëpër institucionet e pasluftës, e deri më sot. Kushedi, pasojë e ndonjë traume nga prejardhja gjeografike a indiferenca kulturore, kasta e re zemërgjërsisht i stimuloi dhe integroi në mjedisin e ri që u krijua në Kosovë.

Nga Kadri Veseli bashkpunëtorët e sigurimit serb dhe jugosllav u cilësuan “thesar i çmueshëm”. Hashim Thaçi në të njëjtën kohë nderonte si heronj figura të njohura të nomenklaturës jugosllave në Kosovë, e po në të njëjtën kohë shpallte heronj ata që ishin vrarë prej tyre (rasti i Shaban Polluzhës). Sa për LDK’në, një pjesë e madhe e ish-LKJ’istëve, arritën të futen aty që nga themelimi i saj.

Kësisoj, po krijohej klima e mjaftueshme për rehabilitimin e një periudhe historike që për shqiptarët ishte periudhë terrori.

Plaçkitja dhe shpërdorimi piratesk që po i bëhej pasurisë publike nga kasta e re e dalë nga lufta, shumëkujt, e më së shumti ish-udbashëve dhe nostalgjikëve të Jugosllavisë ua dha argumentin krekosës për të kaluarën dhe shërbimin që i kishin bërë shtetit jugosllav dhe Serbisë. “Ne kemi ditur të mbajmë shtet, shihni këta të sotshmit…”, nëse jo publikisht, privatisht shumëkush mund ta ketë dëgjuar këtë.

Kështu, shkaku i grabitësve të pasluftës, nisi një soj glorifikimi dhe hyjnizimi i sundimit jugosllav dhe serb, si e arritura më e madhe e prosperitetit politik, ekonomik dhe kulturor që ky vend kishte njohur ndonjëherë.

Ish’at jugosllavë, inspektorë, torturues, ish-dënues të të rinjve në të 80’tat, pasardhës të tyre, pasi zunë poste publike, filluan defilimin edhe nëpër studio televizive, në përpjekje për të përmirësuar imazhin e një periudhe të errët në historinë tonë, ku ata kishin qenë bashkëpjesëmarrës. Pa fije turpi, shumë sosh kërkuan edhe statusin e veteranit të luftës së UÇK’së. Dikush prej tyre ka gjasa edhe ta ketë marrë.

Në vend që të paktën simbolikisht të shfaqnin një ndjesë për shërbimin ndaj një regjimi dhe dëmeve që i kishin bërë vendit dhe veprimtarëve të shumtë, filluan të tallen hapur me viktimat e tyre. Të kujtojmë rastin e një pasardhësi biologjikë të një ish-punëtori të UDB’s kur i ishte drejtuar në një debat televiziv viktimës, një të burgosuri politikë të 80’ve, se “pak je rrahur nga babai, sa është dashur të rrihesh…”

Si duhet të ndjehet dikush, që nuk është pirat i pasluftës, kur sheh gjithë këto, e që mund t’i jetë shkatërruar jeta në burgje politike? Nuk e di. Duhet të jemi në lëkurën e tyre për ta ditur.

Atëherë, cila do duhej të ishte zgjidhja?

Më së paku me atentate dhe hakmarrje. Lustracion? Ta harrojmë këtë fjalë. S’ka gjasa, e as që duhet shpresuar se do të ndodhë ndonjëherë. Ka kaluar kohë e gjatë, dhe teknikisht është e pamundur që të kemi qasje në dosjet e sigurimit jugosllav dhe serb.

Mendoj, do të duhej të krijohej një lloj koncenzusi shoqëror që t’i vendosej një kapak asaj periudhe historike të rëndë nëpër të cilën ka kaluar vendi dhe shqiptarët. Një kapak ku nuk duhet të ketë vend për hakmarrje.

Ideale do të ishte, që për arritjen e një koncenzusi të tillë, dikush nga ish-bashkpuntorët e sigurimit jugosllav të ketë kurajon e të kërkojë falje. Mirë do të ishte të mos rrahin gjoks për të kaluarën e tyre në shërbim të një regjimi kriminal. Le të jetojnë jetën e tyre të qetë si trashëgimtarët e fundit të një epoke dhe shteti që ka vdekur që moti.

Prandaj, ish-udbashët, ish-jugosllavët dhe shërbyesit e atij sistemi, le ta bëjnë jetën siç ua ka ënda, por pa shitur mend publikisht. Nuk e keni asnjë të drejtë që në emër të keqpërdoruesve të sotëm, të glorifikoni një sistem kriminal çfarë kishte qenë ai jugosllav ndaj shqiptarëve. Është njësoj si p.sh. dikush në Gjermani që për keqpërdorimet që mund të ndodhin në atë vend, të thirret në prosperitetin e Gjermanisë hitleriane.

Përndryshe, krekosja do t’ua sjell depresivët tek dera.

Prej 13 marsit 2017 askush nuk mund të garantoj që një Murat tjetër në një mëngjes nuk shkon para derës së dikujt, i bindur se po troket tek fajtori i tragjedisë së tij personale a kombëtare.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme