Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk po gjen zbatim në Kosovë. Zyrtarë përgjegjës të institucioneve që monitorojnë mbikëqyrjen e Ligjit kanë mendime të ndryshme sa i përket gjetjes së zbatueshmërisë të këtij Ligji dhe faktorëve që bëjnë atë të pazbatueshëm. Ndërsa, nga sëmundjet që shkakton duhani vdesin 400 kosovarë në vit.
Sapo është futur në njërën nga kafenetë në afërsi të obeliskut “New Born” në Prishtinë, ka nxjerrë nga xhepi cigaret.
Kamerieri ia sjell një shpuzore të filxhanit për t’i mundësuar klientit që të ndezë cigaren këto ditë kur moti në Prishtinë ka filluar të ftohet.
Veprimi i kamerierit sikurse edhe i duhanpirësit janë të kundërligjshëm pasi duhani ndalohet në tërësi në hapësirat e mbyllura publike.
Por, edhe Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk po gjen mbështetje në Kosovë, sidomos gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit, kur qytetarët për shkak të temperaturave në rënie në kundërshtim me ligjin po tymosin brenda lokaleve.
E pronarët dhe punonjësit e restoranteve tregojnë se kanë gjetur metodën.
“Ne ua bëjmë zile ndonjëherë numrave të inspektoratit që nëse dikush paraqitet në lokal fajësojmë klientët për mosbindje, kurse arsyetohemi se kemi thirrur inspektoratin, por nuk na është lajmëruar askush”, thotë një kamerier nga Prishtina që nuk preferon të prezantohet me emër.
“Nëse flasim me emër nesër e kemi inspektoratin këtu”, thotë ai.
Ndryshe, duhani vazhdo të jetë shkaktar i shumë sëmundjeve vdekjeprurëse.
Korridori i Repartit të Pneumologji-së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) i ngjan një tuneli të pafund, dyshemeja e së cilit të duket se po dridhet nga kollitjet e pacientëve.
Në dhomat e kësaj Klinike qëndrojnë pacientë, të cilët kryesisht vuajnë nga sëmundjet që shkakton duhani. Mantel-bardhët bëjnë të ditur se 400 kosovarë çdo vit vdesin nga konsumimi i duhanit.
Specialisti i pneumologji-së, Skender Baca, tregon për “Zërin” se gjatë përvojës së tij me duhanpirësit nuk ka hasur të gjejë persona të penduar për shkak të bashkëjetesës me duhanin.
Përkundrazi, sipas doktorit, pacientët ndjejnë krenari që kanë konsumuar duhanin dhe vazhdojnë të kenë pranë pakot e stërmbushura me cigare edhe në momentet kur atyre u kërkohet e kundërta.
“Para shëndetit e vendosin cigaren. Në Amerikë është bërë një studim i cili tregon se kanceri nuk i ka shtyrë njerëzit ta lënë duhanin. E kur është rritur taksa, atëherë është parë rënie shumë e madhe e duhanpirësve. Edhe në Kosovë ligji, propaganda shëndetësore, mediet ndikojnë pjesërisht, veç një për qind. Ajo që do të bënte ndryshime në vendin tonë është rritja e çmimit të duhanit”, tregon doktori./Zeri/