Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se sot, me datë 6 qershor 2020, rreth orës 00:16 në rrugën “Dimitrije Tucoviq” në fshatin Bellopojë të Komunës së Pejës është djegur një shtëpi në rrethana ende të pa njohura.
“Në vendngjarje nuk ka pasur persona të lënduar por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin kurse Ekipet Policore të Hetimeve dhe Krim-teknikës kanë dalë në vendngjarje ku janë duke e hetuar rastin”, thuhet në komunikatë.
Tutje bëhet e ditur se eksperti për zjarre pritet të japë vlerësimin profesional për shkaqet e mundshme të zjarrit ndërsa vlera e dëmit mbetet për t’u përcaktuar gjatë menaxhimit të vendngjarjes.
“Viktima L. H. si dhe dy dëshmitarë janë intervistuar dhe është informuar Prokurori Kujdestar ku në konsultim me Prokuror, është hapur rasti zjarrvënie i cili është duke u hetuar me prioritet”, thotë PK.