Vetura e markës “Passat”, në pronësi të Oliver Ivanoviqit, kryetar i Iniciativës Qytetare, “Serbia, Demokracia, Drejtësia”, është djegur rreth orës 4 të mëngjesit, në qendër të qytetit të Mitrovicës, para ndërtesës ku ai jeton me familje.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar vet Oliver Ivanoviq.
Edhe zëvendësdrejtori i Policisë rajonale për Mitrovicën veriore, Besim Hoti i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vetura është djegur dhe se sipas të gjitha gjasave bëhet fjalë për një djegie të qëllimshme.
Sipas tij, Policia po kryen hetime duke e cilësuar këtë si rast i rrezikut të përgjithshëm. Lidhur me motivet, Hoti ka thënë se në këtë fazë të hetimeve është shumë herët të flitet.