Është djegur xhamia e vjetër e fshatit Magure të komunës së Lipjanit.
Rastin e ka konfirmuar Diamant Bytyqi, zëdhënës i komunës së Lipjanit.
“Është djegur xhamia e vjetër e fshatit. Objekti ka qenë shumë i vjetër. Pasi është ndërtuar xhamia e re, ajo ka mbetur ashtu”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka thënë se aty kanë qëndruar migrantë, ndërsa shkaktari i zjarrit ende nuk dihet.
Kurse kryetari i fshatit Milaim Metaj, ka thënë se objekti ka qenë i pashfrytëzuar.
“Është djegur xhamia e vjetër e fshatit. Objekti ka qenë i vjetër i ndërtuar në vitin 1888. Ka qenë i pashfrytëzuar nga fshatarët. Ne e kemi ndërtuar xhaminë e re. Këtu kanë qenë duke banuar migrantët nga Siria. Akoma nuk dihet se si ka ardhur deri tek zjarri”, ka deklaruar ai.