Vaksinim në xhami, MSh-ja synon ta rris numrin e të vaksinuarve

Prishtinë | 19 Nën 2021 | 12:14 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Shëndetësisë nga e premtja ka filluar vaksinimin edhe nëpër institucionet fetare, raporton Ekonomia Online.

Në xhaminë e madhe në Prishtinë ekipet mobile kanë bërë vaksinimin nga ora 12:00 deri në orën 13:00.

Burhan Hashami, kryeimam i Bashkësisë Islame në Prishtinë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, duke shtuar se kanë bërë lajmërimin në 30 xhami për vaksinim.

“Në bashkëpunim me QKUK jemi të gatshëm ku kërkon Instituti t’iu ofrojmë ambient për vaksinim ku kemi vende të mjaftueshme. Sot do të qëndrojnë gjatë ditës nëse ka kërkesa edhe deri në mbrëmje”.

“Në 30 xhami kemi bërë lajmërime. Ia kemi kushtuar ligjëratë të tërë shëndetit të njeriut që kemi obligim ta ruajmë shëndetin që të mbrohemi nga kjo fatkeqësi. Thirrja jonë është tu përgjigjemi qytetarëve”.

Egzon Daka, po e cilëson si të qëlluar mundësin e vaksinimit edhe në xhami.

“Sot e kam pas me marrë dozën e dytë. Ideja shumë e mirë që vaksinimi po bëhet në xhami. Secili person e ka obligim me marr vaksinën”.

Nuhi Mushica tha se i ka marrë te dyja dozat, por është në dyshim për të tretën.

“Të dyja dozat i kam marr, të tretën nuk e di a është gati. Duhet nuk bën pa u vaksinuar shkaku i gripit”.

Ndërsa Shaip Kelmendi theksoi se nëse është e nevojshme do ta marrë edhe dozën e tretë, raporton EO.

“Jam vaksinuar me dy doza. Nëse është e nevojshme do vaksinohem. Nëse është e nevojshme edhe dozën ë tretë me marr”.

“S’ka dëshirë është një infeksion kur bota thotë me marr duhet me marr. Ata janë ekspertë që e kanë paraparë vaksinën”.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se po synon rritjen e numrit të të vaksinuarve dhe është duke bërë përgatitjet për vaksinim nëpërmjet ekipeve mobile edhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe në shkolla, përveç xhamive.

Në 24 orët e fundit, sipas ministrisë së Shëndetësisë janë dhënë 1 760 doza të vaksinës.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të marsit dhe deri më 18 nëntor më shumë se 753 mijë qytetarë – apo mbi 41 për qind e popullatës së përgjithshme i ka marrë nga dy doza të vaksinës.

Vaksinimi bëhet pa termin dhe lejohet për të gjitha moshat mbi 12 vjeç.

Të ngjashme