Dikush po buzëqeshte gabim

Prishtinë | 16 Maj 2026 | 21:37 | Nga Kimete Berisha

(Falli i numrave.)

VV – 116

116 nuk duket si numër.
Duket si kod alarmi shtetëror:

“largohuni anash,
kemi ardhur ta shpëtojmë Republikën.”

VV hyn në zgjedhje
sikur hyn inspektori në autobus:
me dyshim,
me nerva,
dhe me bindjen
se dikush po vjedh bileta.

Ka energjinë:
“kemi ardhur ta rregullojmë këtë vend,
edhe nëse duhet ta prishim fillimisht.”

Ambicie.
Vetëbesim.
Kokëfortësi.
Emocion i fshehur.
Dhe,
paranojë.

Pra:
Kurti flet si robot,
por zemërohet si poet.

Rreziku:
beson
se fati i shtetit
varet vetëm prej tij.

PDK – 125

125 është numër
që e njeh kamerierin,
drejtorin,
doganierin,
edhe kushëririn e doganierit.

Allababulla.

Ka energjinë:
“relaksohu.
Shteti është rrjet.”

Partia nuk shqetësohet nga skandalet.
Vetëm pyet:
“Kush e nxori skandalin?”

125 është numër kazinoje politike.
Numri i njerëzve
që gjithmonë e njohin dikë.

Kjo parti nuk frikësohet.
E kaluara e mbron.

Rreziku:
nuk del më prej saj.

LDK – 113

113 është numri
i njerëzve
që mund të bëjnë krizë politike
me ton të edukuar.

Ka energjinë:
“jemi shumë të zhgënjyer.”

Duket si numër
që para çdo vendimi
kërkon edhe një mbledhje.
Edhe një analizë.
Edhe një kafe.

Profesora
që edhe kur grinden,
duket sikur po mbajnë ligjëratë.

Dy njësha:
dy kryetarë imagjinarë:

“Jemi racionalë,
por askush s’e di kush e mori vendimin.”

Derisa u kthye Vjosa,
si kujdestare klase
me thupër lart,
duke bërtitur:

“We don’t need no education.”

Dhe papritur,
u dha urdhri
se nuk mund ta haje pudingun
pa e ngrënë mishin më parë.

“You!
Yes!
You, behind the bike sheds!
Stand still, laddie!”

Dhe,
për çudi,
e ngjalli klasën.

Rreziku:
nuk dua të tregoj.

AAK – 128

128 sillet
sikur zgjedhjet
janë finale boksi.

Ka energjinë:
“mos na prekni në nder.”

Kjo parti nuk hyn në debat.
Hyn në betejë.

Edhe kur flasin për buxhetin,
duket sikur po çlirojnë territor.

AAK hyn në zgjedhje
si soundtrack filmi aksion.

Dhe sillet
sikur çdo ditë
është viti 1999.

Ka atë energjinë:
“mos na testoni karakterin,
mos më prek n’tel.”

Nuk e do diplomacinë.
E do fjalën:
burrninë.

Luftëtari
që ende mendon
se politika është çështje nderi.

AAK:
ose hyn në betejë,
ose në odë.

Mes nuk ka.

Rreziku:
trimëria më e madhe se strategjia.

PSD – 129

129 është numri
i atyre
që hyjnë në politikë
vetëm për ta bërë atmosferën të çuditshme.

Edhe:
“po sikur problemi të jetë vetë realiteti?”

Kjo parti nuk kërkon pushtet.
Kërkon mikrofon.

Hyn në debat
jo për të fituar,
por për ta bërë tjetrin nervoz.

Pi kafe,
lexon portalet për veten,
se çka ka thënë mbrëmë në studio televizive,
dhe pastaj shkon në panel
për ta rrëzuar konceptin e shtetit.

Ka energjinë:
“ne humbim zgjedhjet,
por ju prishim rehatinë mendore.”

Ka edhe një kaos filozofik brenda:
hyjnë në politikë
për ta shpjeguar jetën.

Rreziku:
pseudo-ironia deri në vetëshkatërrim.

EPILOG

S’ka.
Për momentin.

P.S.

Jago.
Othello.
Desdemona.

Kush
është.
Kush.

AUTOKRITIKË

Ti nuk del në zgjedhje
derisa të bindesh
se kush kë e ka “tradhtuar”:

Kurti – Osmanin,
apo anasjelltas.

Osmani po ankohet –
Kurti po hesht.

Heshtja është aprovim.

Dhe:
deri tani po duket
se Kurti – Osmanin…
dhe kjo fare-fare s’të pëlqen.

Sepse,
ke vërejtur,
se sapo dyshojnë
në besnikërinë tënde absolute,
“këta” të gjuajnë…

…kujtojnë se të gjuajnë.

Për shembull:
ti i voton,
lobon për ta,
shkruan mirë për ta,
i mbron,
sepse beson.

E ata:

“Po, Kimi
ka shkruar shumë mirë për mua…
edhe më ka votuar…
ama
më thanë se diku,
në një farë vendi,
kish pas folur keq për mua.”

Politikë që merret me thashetheme.

Pra:
VV nuk kërkon mbështetje.
Kërkon besnikëri absolute.

Po mirë.

Hajde merre…

Na.

Të ngjashme