Të tunduar nga vitrinat që dominohen nga prurjet e fundit, jo vetëm në çështjen e veshjeve apo aksesorëve, por edhe produkteve të tjera të vlefshme për përditshmërinë e gjithsecilit prej nesh, gjendemi shpesh përballë pikëpyetjes: çfarë të blej? Atë që më pëlqen, apo atë që kam nevojë?!
Në bisedat personale, dhe sidomos ato me miqtë më të ngushtë, një nga diskutimet më të zjarrta, o të themi që merr “pjesën e luanit” në temat e debatuara është çështja e blerjeve, e racionimit të buxhetit, e dëshirës së ethshme për të pasur gjithçka në garderobë apo shtëpi, por edhe nevojës për të mos e boshatisur kuletë o kartën e kreditit. Jo të gjithë, dalim fitimtar në këtë “dyluftim” mes tundimit dhe domosdoshmërisë, andaj mekanizat veprues në këtë rast janë sa individual, aq edhe gjithpërfshirës.
Thirrjet ulëritëse janë aty, për të të kujtuar që blerjet e mençura janë ato që të nxjerrin nga kësi situatash, por jo gjithnjë është e lehtë. Blerjet mbeten një proces i mistershëm. Herë si sëmundje, e herë si pasion, ndoshta si nevojë a domosdoshmëri, femrat nuk dinë se si të etiketojnë këtë fenomen. Disa e justifikojnë me natyrën e gruas lidhjen që ato kanë në mënyrë të pandashme me të bukurën, apo blerjet si një instinkt i fortë, para të cilit dorëzohen të gjitha, pa kushte. Të joshur nga çmimet, reklamat ose pakujdesia e zgjedhjes së produkteve, gjithmonë zhgënjehen, madje disa sapo kalojnë pragun e dyqanit. Mos ndoshta ky sindrom blerjesh, ka një cak pendimi, apo quhet thjesht një veprim i gabuar, a hap i nxituar, në momentin e vendin e gabuar? Nëse ju ndodh që të gjeni veten në situatën e përshkruar më sipër, nuk duhet të pendoheni.
Të bërit pazar si një proces i mundimshëm, sidomos kur nuk di të menaxhosh burimet financiare, me qëllim rifreskimin e gardërobës me një buxhet të vogël. Zakonisht këmbëngulja dhe mungesa e informacionit të dhënë nga tregu ngjan sikur na ofron diçka të re, prandaj nxitemi për të blerë një produkt, i cili ndoshta mund të jetë edhe i padobishëm. Për të shmangur këto aksidente, duhet të merni kohën e mjaftueshme për t’u informuar mbi produktin e kërkuar. Zgjidhja e duhur është dëshira e qartë që kemi në kokë, për atë që duam. Pasi ta gjeni atë, verifikojeni. Detyra juaj është të pyesni, nëse vërtet ju hyn në punë sa duhet, ajo që shihni në vitrinë. Kur shkoni për shopping, duhet të dini çfarë dëshironi. Observimi të nxjerr nga situata. Asgjë nuk është më e rëndësishme, se sa organizimi.
Kjo nuk do të thotë që blerjet do të jenë të përsosura, por ju e keni të qartë se çfarë kërkoni. Këshilla më e mirë në këto situata?! Mos e ktheni në rutinë këtë stil jetese. Blerjet mund të kthehen në një mani shumë të dëmshme. A mund themi që seksi i kundërt e ka më të thjeshtë këtë çështje? Meshkujt, janë më pak vanitozë në këto prirje, dhe shumë më të dhënë rreth alternativave efikase, jo shumë tunduese, por që i bën ata të ndihen efiçent në çdo blerje të re që bëjnë. Ky detaj i bën ata më me “fat” karshi femrave, të cilat marrosen pas çdo produkti të bukur që shkëlqen në vitrinë, rendin për ta blerë atë, bashkë me dëshirën e ethshme për të prishur edhe qindarkën e fundit, për të zbrasur kartën e kreditit, për të tejkaluar limitin e overdraftin, etj. Mjafton ta kenë aty, përpara syve, ta bëjnë “pronë” të tyren, edhe nëse vlefshmëria e produktit mund të vihet në pikëpyetje.
Dëshira për të pasur gjithçka me çdo kosto është kaq evidente, tek femrat, tek mikeshat tona, tek ato individë që na lidh përditshmëria e punës dhe angazhimeve, e tek të cilët lexohet qartazi ky fakt. Dilemat e blerjeve gjenden kudo, sapo nxjerrim këmbën nga shtëpia, por aftësia për të racionuar dëshirën me nevojën, është fitore e sigurt në çdo situatë të ngjashme. Jo, të gjithë ia dalin! Kjo është pak, por e sigurt! Të paktën, përpiquni të keni të qartë se çfarë doni, vetëm atëherë nxirrni portofolin nga xhepi, në vend që të kaloni minuta të tëra para pasqyrës duke provuar veshje ose duke kundruar produkte që nuk ju bindin se vërtet doni t’i bëni tuajat!