Radomir Dimiq, kryetar i Perspektivës Multietnike Evropiane të Kosovës, ka dënuar hedhjen e bombës që ndodhi gjatë fundjavës, në afërsi të Tunelit 5, në rrugën magjistrale në drejtim të Ujmanit, me ç’rast u dëmtuan dy vetura, njëra me traga vendore dhe tjetra me targa amerikane.
Dimiq ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që në këtë akt terrorist të jetë përfshirë Millan Radoiqiqi.
“Dihet se kujt nuk i konvenon normalizimin i situatës dhe kush kërkon ta minojë punën e suksesshme të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Të jepet përshtypja se është Serbia, kjo për shkak të humbjes së kontrollit dhe ndikimit në Veri të Kosovës, derisa Albin Kurti u bë kryeministër. Po ashtu nuk përjashtohet mundësia që në këtë akt terrorist të jetë përfshirë edhe Millan Radoiqiqi, si dhe shumë grupe tjera kriminale të cilat kanë bërë çfarë kanë dashur, duke u pasuruar jashtëligjshëm. Nga këtu edhe ky akt kriminal, sepse nuk e kanë të lehtë të pajtohen me humbjet politike dhe çdo fuqie tjetër, që padyshim e kanë pasur. Më shumë se dy dekada kanë qenë ‘shtet në shtet’ dhe natyrisht kësaj i ka ardhur fundi, kjo duke e falënderuar qeverinë e Albin Kurtit, që ka arritur t’i dëbojë këta kriminelë të rremë, të vendosë ligjin, sigurinë publike dhe paqen”, thuhet në komunikatën për medie të Perspektivës Multietnike Evropiane të Kosovës.
“Dua ta falënderojë këmbënguljen e Qeverisë së Kosovës që ka ndërmarrë veprime dhe masa ligjore për sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë Policinë e Kosovës dhe të gjitha strukturat e sigurisë. Pres që sa më shpejt që zbulohen kryesit e këtij krimi dhe të paraqiten para drejtësisë. Po ashtu apeloj tek qytetarët që mos të bien pre e provokimeve që kanë për qëllim të nxisin konflikt të ri dhe eskalim të problemit, ndoshta kjo edhe me qëllim që ta largojnë nga pushteti Albin Kurtin”.
Sa i përket përpjekjeve që qytetarët të frikësohen në Gazivodë, respektivisht Ujman, që të paraqitet kinse vend i rrezikshëm, ai ka një porosi “Nuk frikësohet arusha me shoshë”.