Maqedonia e Veriut pret të marrë dritë jeshile nga BE-ja dhe sivjet t’i fillojë negociatat për anëtarësim, thotë shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov në një intervistë për “Fajneshëll Tajms”. Ai mendon se Brukseli duhet ta njohë tregimin e suksesshëm dhe të mos i hedhë poshtë aspiratat e Shkupit për eurointegrim, sepse në të kundërtën do të rrezikonte ta humbasë ndikimin e Ballkanit dhe do t’i përforconte rivalët në rajon.
“Kur ekziston një shembull i mirë (për inkuadrim në negociata), ai duhet të njihet dhe të shpërblehet. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë fuqia e BE-së bëhet e dobët”, thotë Dimitrov, duke theksuar se Ballkani Perëndimor tani është “skenë e garës gjeopolitike” në të cilën janë të përfshirë Pekini dhe Moska.
Sipas tij, nëse Evropa nuk mund të bëjë dallim në Ballkan, atëherë vështirë është të mendohet si kjo do të bëjë dallim në një vend tjetër.
“BE-ja do ta humbasë ndikimin e Ballkanit Perëndimor dhe do të rrezikojë t’i përforcojë rivalët siç janë Rusia dhe Kina nëse nuk e lejon ‘rastin bindës’ të Maqedonisë së Veriut dhe nuk solli vendim për të filluar negociata për inkuadrimin e vendit. Do të jetë e vështirë të bisedojnë me kokën lartë për lidhje të përhershme më të afërta midis Brukselit dhe rajonit, nëse vendet-anëtare të BE-së nuk arrijnë ta konfirmojnë vendimin për fillimin e procesit të inkuadrimit”, thekson Dimitrov.
“Fajneshëll Tajms” përkujton se mbetet të shihet nëse Franca, Gjermania dhe Holanda do t’i mbështesin argumentet e shumë diplomatëve evropianë se vendi ballkanik i ka plotësuar obligimet, duke e përfshirë edhe marrëveshjen për emrin me të cilën iu dha fund kontestit shumë vjeçar me Greqinë.
Dimitrov thotë se nuk mund lehtë ta kuptojë shqetësimin tek disa në BE dhe thekson se Maqedonia e Veriut krijoi atmosferë në të cilën do të ishte pothuajse e turpshme të mos arrihet konsensus për rastin e saj.
Përkujton se vendi ka bërë “kthesë të dukshme në të mirë” me zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe thellimin e reformave. Mendon se vendet e BE-së sivjet nuk mund vetëm ta injorojnë rastin tonë dhe të mos i njohin tregimet e suksesshme, sepse ato sot janë shumë.
Dimitrov paralajmëroi se refuzimi nga ana e BE-së do ta prishë kredibilitetin e qeverisë në Shkup dhe do t’i përforcojë forcat nacionaliste . Kjo do të jetë dekurajuese edhe për ata të cilët tentojnë t’i zgjidhin kontestet tjera të rëndësishme bilaterale me të cilin përballet rajoni pas rrëzimit të Ish-Jugosllavisë, thotë ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov për “Fajneshëll Tajms”.