Me një pompozitet të madh mediatik dhe me pritshmëri të larta, në tetor të vitit të kaluar, diplomacia serbe e dërgoi Tamarën Vuçiq, bashkëshorten e autokratit serb, me paratë e qytetarëve të Serbisë, në Nairobi – njësoj si dikur Jovanka Broz – për të bindur autoritetet keniane që të përkrahin interesat shtetërore të Serbisë. Qëllimi i saj ishte të bënte një manovër diplomatike për të penguar njohjen e Kosovës.
Edhe pse në qendër të Beogradit është hapur ambasadë dhe ekziston numri i telefonit për kontakt, gruaja e liderit serb konsideroi se për të bindur kabinetin e presidentit të Kenias, William Ruto, ishte më e përshtatshme të udhëtonte personalisht dhe të bisedonte drejtpërdrejt. Ajo synonte t’ua rikujtonte mikpritësve marrëdhëniet tradicionale miqësore që datojnë nga koha e Lëvizjes së të Painkuadruarve.
Ndër të tjera, ajo theksoi se Jugosllavia ishte një ndër 10 shtetet e para që kishin njohur pavarësinë e Kenias në vitin 1963. Ajo dorëzoi një donacion prej një milion e gjysmë eurosh për ndihmë pas përmbytjeve dhe u dhuroi pajisje tabletë nxënësve të një shkolle në Nairobi.
Tajçi serbe – siç e quajnë në stil tallës – arriti edhe të kërcejë me fëmijët kenianë këngën “Hakuna Matata”, që në gjuhën suahili do të thotë “s’ka problem”, duke shpresuar se me sharmin dhe bukurinë e saj do të impresiononte zyrtarët kenianë dhe do t’i nxiste ata të mos e njihnin Kosovën.
Megjithatë, vetëm pesë muaj pasi bashkëshortja e Vuçiqit falënderoi drejtuesit e Kenias për “mbështetjen”, si rrufe nga qielli i kthjellët në Beograd shpërtheu lajmi se Kenia, si shteti i 118-të, e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.
Kjo ndodhi në kulmin e protestës më të madhe studentore dhe qytetare kundër regjimit kriminal, të korruptuar dhe autoritar të Aleksandar Vuçiqit.
Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë reagoi menjëherë, duke shprehur zhgënjimin e thellë për vendimin e qeverisë së Najrobit. Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq – i njohur për qëndrimet e tij skajshmërisht antikosovare – akuzoi Keninë jo vetëm se kishte shkelur një miqësi shumëvjeçare, por edhe Kartën e Kombeve të Bashkuara. Por ai nuk e përmendi fare misionin e dështuar diplomatik të gruas së Vuçiqit, e cila kishte udhëtuar në Kenia si “Zonja e Parë”, megjithëse ky titull nuk ekziston as në Kushtetutën e Serbisë, as në ndonjë ligj.
Askush nuk e di se nga i kishte premtuar ajo ato para për ndihmë ndaj Kenias, kur dihet se përfaqësimi i saj jashtë vendit bazohej thjesht në faktin që ishte e martuar me presidentin.
Sado që zyrtarët serbë përpiqen të minimizojnë rëndësinë e njohjes nga Kenia, kjo është padyshim një pikë e madhe në favor të Prishtinës. Më saktë, është njohja më e rëndësishme që Kosova ka marrë nga një shtet afrikan.
Kanë kaluar gati pesë vjet që kur shteti i fundit – Izraeli – e njohu Kosovën. Prishtina e arriti këtë sukses me një diplomaci aktive “derë më derë, zyrë më zyrë”, siç e përshkroi dikur ish-ministri i Jashtëm dhe ish-presidenti i Kosovës.
Pa dyshim, ky është një sukses i madh për shtetin e Kosovës. Sipas presidentes së Kosovës, e cila vlerësoi kontributin e Behgjet Pacollit në këtë arritje, njohja nga Kenia është një mbështetje për të drejtën e Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial.
Kjo nënkupton se Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj drejt integrimit dhe forcimit të pozitës në arenën ndërkombëtare.
Edhe pse për kenianët, si qytetarë të një vendi të largët nga një kontinent tjetër, njohja nga Nairobi përbën një “goditje të konsiderueshme për Beogradin”, sepse Kenia është seriozisht një shtet i madh dhe ka qenë një nga shtyllat mbështetëse të Serbisë në Afrikë.
Pavarësisht se gjithmonë ka qenë lojtare pro-perëndimore, ajo ka qëndruar në anën e Beogradit. Kështu që kjo lëvizje e fundit ka qenë për Vuçiqin si rrufe nga qielli i kthjellët – sepse Kenia nuk është një nga ato vende të vogla ishullore e paqësore, me ndikim të kufizuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, kjo fitore e Kosovës është aq më e rëndësishme dhe me peshë.
Beogradi dhe Prishtina, në fakt, po zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve prej më shumë se një dekade nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Megjithatë, politika e lobimit nga të dyja palët ka qenë e ashpër dhe e vazhdueshme, pavarësisht marrëveshjes së arritur gjatë mandatit të parë të Donald Trump si president. Këtë marrëveshje, as Beogradi dhe as Prishtina nuk e respektuan gjatë mandatit të Joe Biden.
Që të dilet nga kjo ngërç politik, është e domosdoshme që dialogu të ringjallet sa më parë dhe të mos sabotohet në mënyrë të vazhdueshme sovraniteti i Kosovës përmes metodave të ndryshme që vetëm krijojnë armiqësi mes Beogradit dhe Prishtinës, në vend të paqes dhe stabilitetit.
Koha që na ka mbetur për të jetuar është më e rëndësishme se të gjitha vitet që kemi lënë pas – vite që kanë lënë plagë dhe kanë marrë një çmim të lartë.
Paqja dhe stabiliteti janë gjendje që i dëshirojmë të gjithë – jo një “kokëfortësi e rrezikshme”, Vuçiq.