Perspektiva evropiane, për të cilën janë përcaktuar Kosova dhe Serbia, do t’i vë të dyja vendet para situatës, në të cilën ato duhet ta arrijnë një marrëveshje obliguese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.
Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që mundësia e arritjes së një marrëveshjeje juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është krejtësisht reale. Hulumtimet, sipas tij, kanë treguar se 65 për qind e qytetarëve në Serbi konsiderojnë që një zgjidhje ndërmjet dy vendeve duhet gjetur përmes bisedimeve.
Natyrisht që kjo do të ndodhë. Vetëm që bëhet fjalë për atë se a do të jenë në proces biseduesit e tanishëm, marrë parasysh qëndrimet e tyre dhe zgjedhjet e mundshme. Personalisht, nga ajo që di, do të duhet sa më parë që të kthehet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve”.
“Ky episod, i cili zgjati disa muaj apo gati se një vjet dhe që i ka futur Kosovën dhe Serbinë, shqiptarët dhe serbët, në një zonë mjaft të rrezikshme për sigurinë, në mosbesim, përplasje dhe tensione gati se të përjavshme, dalëngadalë duhet të përfundojë. Ky është parakusht që t’u kthehen obligimeve që kanë dhe që nënkupton marrëveshjen e parë të vitit 2013, së cilës politikanët kanë dashur që t’i shmangen”, thotë Janjiq.
Sipas tij, politikanët e të dy vendeve, për t’u ikur obligimeve që dalin nga marrëveshjet e deritashme, kanë tentuar që të gjejnë një zgjidhje që i shpëton dhe i popullarizon ata. Por, sipas tij, ata kanë gjetur zgjidhjen e gabuar, pra ndryshimin e kufijve apo ndërrimin e territoreve.