Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), të premten ka shënuar 24-vjetorin e themelimit, me ç’rast u diplomua gjenerata e 43-të e zyrtareve korrektuese, raporton Ekonomia Online.
Nga kjo gjeneratë të diplomuarit ishin gra, për të cilët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me qëllim të ngritjes së kuotës gjinore, ShKK-ja po certifikon 45 zyrtare gra. Ai më tej ka shtuar se në qeverisjen e tij kanë shtuar kapacitete për ngritjen e profesionalizmit të këtij shërbimi.
Madje tha se me ndihmën e ambasadës amerikane janë trajnuar 104 zyrtarë në fusha të ndryshme.
“Shënimi i përvjetorëve të institucione është i rëndësishme kur efikasiteti është i lartë dhe inkurajohemi për më shumë punë në të ardhmen. Të burgosurit nuk janë të lirë po që kanë të drejta dhe ne u shërbejmë për këtë qëllim. Në qeverisjen tonë kemi shtuar kapacitetet profesionale për ngritjen e profesionalizmit të këtij shërbimi”.
“Gjatë dy viteve të fundit me përkrahjen e ambasadës amerikane, janë trajnuar 104 zyrtarë në fusha të ndryshme. Shërbimi Korrektues i Kosovës me qëllim të ngritjes së kuotës gjinore, sot po certifikon 45 zyrtare gra në gjeneratën e 43-të”, u shpreh Kurti.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismajl Dibrani, tha se institucioni që ai e drejton ka shënuar një sukses në luftën kundër kontrabandës.
“Sot Shërbimi Korrektues i Kosovës shënon 24 vjetorin e themelimit duke dhënë një shërbim profesional në fushën e drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për një sistem të sigurt dhe për të rritur besimin në sistemin e drejtësisë”.
“Përfundimi prej shtatë muajsh i trajnimeve, shënon një rrugë drejt profesionalizimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në luftën kundër kontrabandës”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar progres dhe profesionalizëm, edhe pse ka pasur shumë sfida, raporton EO.
“Ndonëse me shumë sfida, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar progres dhe profesionalizëm. Me qëllim të kompletimit të infrastrukturës dhe çështjet tjera, ne kemi iniciuar një varg ligjesh”.
Teuta Pllana, njëra prej kadeteve që diplomuan në këtë gjeneratë, tha se pas shtatë muajve, do të unojnë me profesionalizëm e nder.
“Kjo është një fitore e rrallë që e bën krenar jo vetëm ShKK-në, por gjithë unitetin tonë. Pas shtatë muajve trajnim, tani ka ardh koha që detyrat tona t’i kryejmë me profesionalizëm aty ku na takon. Ne mbesim falënderues ndaj gjithë mentorëve për të arritur deri këtu”.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shënimi i përvjetorëve të institucioneve ka rëndësinë e veçantë, kur progresi i tyre është evident, kur efikasiteti i shërbimeve është drejt lartësisë së dëshirueshme, kur ne mburremi me këto suksese, dhe inkurajohemi për më shumë punë në të ardhmen që na pret.
Shërbimi Korrektues është institucion i cili duhet të garantojë sigurinë e secilit të dënuar, dhe mundësinë e korrektimit të individëve të cilët në të kaluarën kanë bërë veprime të gabuara apo të tilla të cilat sanksionohen me ligjet e Republikës sonë. Drejtësia ende nuk kryen mjaftueshëm punën e vet kur individit i shqiptohet masa e duhur për vuajtjen e dënimit. Menjëherë pas atij vendimi, të dënuarit kanë po ashtu të drejtat e tyre të cilat duhet të respektohen, si dhe personeli ka përgjegjësitë e veta për mënyrën se si të burgosurit trajtohen. Të burgosurit janë njerëz që nuk janë të lirë por që kanë të drejta. Janë qytetarë të Republikës të cilëve ne gjithashtu ju shërbejmë teksa ata vuajnë dënimin.
Në qeverisjen tonë, kemi miratuar Reformën Ligjore në Shërbimin Korrektues të Kosovës, e cila avancon shërbimet ndaj të burgosurve dhe të drejtat e tyre. Po ashtu kemi shtuar kapacitetet dhe mundësitë për ngritje profesionale përmes trajnimeve adekuate për personelin.
Nëpërmjet Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, kemi paraparë reforma lidhur me trajtimin e personave të privuar nga liria, të drejtat dhe beneficionet që do t’iu takojnë, sikurse ditët e pushimit jashtë Institucionit Korrektues (14 ditë brenda vitit), kalimin e kohës në hapësira të veçanta për të gjithë të dënuarit, lirimin e parakohshëm në 3, 6, apo 9 muaj, varësisht nga vlerësimi dhe përmbushja e kritereve që arrin i dënuari.
Përmes Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, është rregulluar statusi, parimet, përgjegjësitë, menaxhimi dhe organizimi i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, kushtet e veçanta shtesë për rekrutim, e shumë çka tjetër. Po ashtu, me këtë ligj është paraparë themelimi i disa njësive të reja të nevojshme për veprimtarinë e Shërbimit Korrektues të Kosovës, me ç ‘rast unë po i përmendi tri sosh kryesore:
· Njësia ekonomike përmes së cilës zhvillohen aktivitete ekonomike, prodhuese, ofrohen shërbime, punësohen të burgosurit dhe krijohen të hyra për nevojat e ShKK-së me qëllim të risocializimit të burgosurve dhe uljes së kostos buxhetore.
· Tjetra është – Njësia për vlerësimin dhe klasifikimin e të burgosurve përmes së cilës bëhet vlerësimi individual i rrezikut dhe nevojave për të gjithë të burgosurit të pranuar nga institucionet korrektuese, dhe;
· Njësia për inteligjencë përmes së cilës bëhet planifikimi, mbledhja, sistemimi, analizimi, shpërndarja dhe mbrojtja e informacionit në inteligjencën specifike, që paraqesin kërcënim me rrezik për rendin dhe sigurinë në institucionet korrektuese.
Pra, Shërbimi Korrektues i Kosovës teksa kujdeset dhe kontribuon edhe për sigurinë e gjithmbarshme në shtetin e shoqërinë tonë, njëkohësisht i përket Qeverisë, shtetit dhe shoqërisë, që të kujdeset edhe për sigurinë përbrenda institucioneve korrektuese.
Me këtë rast, dua të përshëndes edhe vigjilencën e shkëlqyer nga stafi, në parandalim të kontrabandimit të gjësendeve të ndryshme të cilat është tentuar disa herë të hyjnë brenda burgjeve.
Përgjatë dy viteve të fundit, Shërbimi Korrektues i Kosovës me qëllim të zhvillimit profesional të personelit dhe me përkrahjen e ambasadës amerikane, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë trajnuar dhe certifikuar 104 zyrtarë në fusha të ndryshme e të cilat trajnime janë duke vazhduar për çka u jemi shumë mirënjohës Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.
Shërbimi Korrektues i Kosovës me qëllim të ngritjes së kuotës gjinore në radhët e stafit korrektues, sot me sukses po certifikon edhe 45 zyrtare korrektuese gra, si gjeneratë e 43 e ShKK-së. Rreth dy vite më parë, 46 kadetë të tjerë, burra e gra me sukses patën mbaruar trajnimet e tyre.
70 kandidatë për zyrtarë korrektues janë në proces të rekrutimit të cilët do të ndjekin trajnimet për avancim dhe zhvillim në fusha profesionale. Rritja e kapaciteteve po reflekton paralelisht me rritjen e cilësisë së shërbimeve, sepse kjo është mënyra, sepse ky është qëllimi ynë i përbashkët.
Në proces është edhe themelimi i Institucionit për Trajnimin edhe Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta. Ky institucion do të arrijë standardet e rregullave evropiane të burgjeve për trajtimin e personave me nevoja të veçanta, personave të moshuar që kanë nevojë për mbështetje dhe kujdes të vazhdueshëm, personave me sëmundje kronike, personave me varësi nga substanca të ndryshme, pra për të gjithë ata që konsiderohet se nevojitet kujdes permanent shëndetësor, shërbimi adekuat do t’iu ofrohet në mënyrë tërësisht profesionale.
Ashtu sikurse qytetarët e Republikës që i kanë aftësitë dhe nevojat e ndryshme, edhe për ata qytetarë të Republikës një ditë për shkak se bien ndesh me ligjin e humbin lirinë e tyre, vazhdojnë t’i kenë aftësitë dhe nevojat e ndryshme, dhe sistemi ynë korrektues duhet që të ketë ndjeshmëri ndaj situatave të atilla.
Shërbimi Korrektues i Kosovës është në rrugë të mbarë të garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë, me ambiente rehabilituese, e risocializuese.
Synimi ynë është që të gjithë të burgosurit, të gjithë ata që vuajnë dënimin, një ditë kur ta kenë përfunduar atë të integrohen në shoqëri më të mirë, më të drejtë, më të aftë se sa që ishin më herët.
Përgatitjet nuk do të mungojnë, profesionalizimi vetëm sa do të shtohet, kujdesi dhe siguria do të jenë prioritet, dhe trajtimi dinjitoz i të gjithëve pa dallim do të jetë i përhershëm.
Urime 24- vjetorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, dhe suksese të mëtutjeshme!
Ju faleminderit.