Në 40 hektarët e ish-ndërmarrjes shoqërore “Malishgan”, në fshatin Dollc të Klinës, kompania Wallingford International Kosovo L.L.C., ka planifikuar ndërtimin e fabrikës së çimentos me standardet e fundit ndërkombëtare.
Përfaqësuesi i kësaj kompanie, Faton Ismajli, tha për KIKS Kosovën se kjo fabrikë do të ndërtohet me teknologji të gjelbër nga kompania gjermane Thyssen Krupp, çka nënkupton zero ndotje për natyrën.
“Me teknologjinë më të fundit të kompanisë gjermane ThyssenKrupp-Polysius, fabrika do të jetë në gjendje të përmbushë rregulloret dhe kërkesat strikte vendore, evropiane dhe ndërkombëtare”.
“Fabrika jo vetëm që do te lëshon më pak emetime, por gjithashtu do te konsumon më pak energji dhe kursen resurse, si dhe përdor komponentë më miqësorë ndaj mjedisit për të arritur neutralitetin e karbonit në afat të gjatë, do të jetë fabrika e parë e gjelbërtë ne Ballkan për prodhimin e çimentos”, ka thënë Ismajli.
Për jetësimin e këtij projekti “Wallingford International Kosovo” ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, si dhe lejen e ndërtimit nga Komuna e Klinës.
Sipas të dhënave doganore, Kosova çdo vit importon 800 mijë tonë çimento.
Mirëpo, me ndërtimin e kësaj fabrike, investitori thotë se do të tejkalohen të gjitha nevojat e tregut vendor, pasi synohet që prodhimi vjetor të jetë rreth 1 milion tonë çimento.
Ismajli, i cili zotohet se fabrika e çimentos nuk do të shkaktojë fare ndotje të ambientit, thotë se në fazën fillestare të këtij projekti parashihet punësimi i rreth 900 personave, ndërsa me funksionalizimin e fabrikës do të jenë 500 të punësuar.
Kush po i manipulon banorët?
Pavarësisht të mirave që i premton investitori, ky projekt milionësh po pengohet nga disa banorë të fshatrave përreth. Ata nuk po lejojnë që kompania të bëjë shpimet e tokës në dy parcelat ngjitur me vendin ku pritet të ndërtohet fabrika, ani pse kompania i ka marrë ato me qira nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Megjithëse Wallingford International Kosovo L.L.C. ka marrë lejet nga AKP dhe nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, këta banorë po vazhdojnë kundërshtimin, duke dalë në vendin e ngjarjes sa herë që ndizen makineritë.
Tokën të cilën WIK-u, e mori me qira nga pronari legjitimi DM, i cili e privatizoi atë në një proces të hapur privatizimi, ata nuk po dëshirojnë ta gëzojë pronari legjitim.
Njëri nga banorët insiston se toka mund t’i jepet vetëm kompanisë “Benita”, me seli në Gremnik të Klinës, e cila kishte ofertuar për blerje, por kishte dështuar në prpoces. “S’ki me marrë këtë tokë. Ooo, nuk ki me e marrë, sot e 100 vjet. Qe ku e kemi Beniten, vjen investon….”, thotë njëri nga banorët.
Protestuesit janë konfuzë me thirrjet e tyre, kjo pasi përfaqësuesi ligjor i tyre, Veton Rraci thotë se shqetësimi i tyre nuk është toka.
Rraci i cili është edhe zyrtar ligjor në Kuvendin e Kosovës thotë se brenga e banorëve është ndotja që supozon se mund të vijë nga kjo fabrikë.
“Ne e dimë që sipas nenit 52 të Kushtetutës së Kosovës është e pakapërcyeshme që me kalu në hallka të tjera që me kalu në ndërtimin e fabrikës së çimentos ose të fabrikave të tjera që prekin ambientin, pa e marrë miratimin e banorëve. Banorët në këtë rast janë kundërshtues për ndërtimin e fabrikës duke u thirrur në dispozitat ligjore dhe në ruajtjen e ambientit në atë pjesë”, tha ndër të tjera ai.
Raci po ashtu pranon se ka pasur të interesuar që kanë dashur ta ndërtojnë ketë fabrikë edhe që vinin nga e njëjta zonë: “S’ka të bëjë investitori a është Benita, Fitorja , Rukollin a kush është, nuk po dua të lakoj emra të bizneseve, ne e kuptojmë edhe pjesën e të mirave që mundet me na ofruar një fabrikë e tillë por prapë se prapë kurciale dhe e pa kalueshme për neve mbetet mbrojtja e ambientit.”
Luzha: Prapa banorëve që po kundërshtojnë ndërtimine fabrikës së çimentos, qëndron një palë e tretë
Lidhur me shqetësimin e vërtetë të disa prej banorëve që po kundërshtojnë ndërtimin e kësaj fabrike ka hedhur dyshime auditori i çështjeve mjedisore, sipas ISO 14001, Ibush Luzha.
Në një intervistë për KIKS Kosovën, Luzha aludon se prapa banorëve fshihet një palë e tretë.
“Shqetësimet e qytetarëve janë shqetësime që jua ka imponu nëj palë e tretë, shumica e tyne unë nuk e di kush ka qenë por shumicas e tyre nuk e dijnë cila do tëjetë ndotja. Atyre u është thënë, po e thojmë me kusht, që do të ketë ndotje, sdo të mundemi me jetu etj etj dhe normal që shqetësohen, edhe unë do të isha shqetësu por qytetarët do të duhej me i vetëdijësu”, tha ai.
“Qytetarët janë shqetësu e kanë dalë në protesta, ata sjanë të vetëdijshëm se a do të ketë pluhur a sdo të ketë por u është thënë që do të ketë pluhur dhe zhurmë dhe sta shqetësohen”, shtoi ai.
Kjo pasi që, sipas tij, një fabrikë e çimentos me teknologji të gjelbër nuk shkakon ndotje të mjedisit.
“Përfundimi im është – po mund të funksionojë fabrika e çimentos duke mos ndotur mjedisin, me kusht që teknologjia që instalohet në prodhimin e çimentos të jetë teknologjia e fundit dhe teknologji që mbron mjedisin, nuk lëshon gazra që e ndotin mjedisin e as grimca e pluhur sipas ligjit të Republikës së Kosovës. Nëse zbatohen këto pika të ligjit dhe përdoret teknologjia, unë them ndërtoni ku të doni këtë fabrikë të çimentos sepse nuk do të ketë ndotje,” ka theksuar Luzha.
Pronari i “Benita”: Desha ta blej tokën, (e pranoj se) disa punëtorë dhe familjarë protestuan
Pronari i kompanisë “Benita”, Hesen Kalludra, e konfirmoi për KIKS-in se në mesin e protestuesve kishte edhe punëtorë dhe familjarë të tij.
“Sa i përket protestës çdo gjë është e garantuar brenda ligjeve në fuqi, nuk i ndahemi bashkëfshatarëve në aspektin individual, për secilin është personale përzgjedhja, asgjë nuk është e organizuar apo orkestruar nga ne. Kompania jonë ka një numër të madh të punëtorëve të fshatrave përreth fabrikës në fjalë. Andaj, ne nuk kemi ndikuar direkt apo indirekt që këta punëtorë apo familjarë të dalin ose të mos dalin në protestë”, thuhet në përgjigjen e tij.
Në një formë “Benita” e Hesen Kalludrës ka konflikt interesi në këtë zonë, edhe për faktin e konfirmuar nga vet ai, se kishte blerë një parcelë 53 ari në 2015 nga një serb. Prona e blerë nga Kalludra ndodhet në mes të pronës ku pritet të ndërtohet fabrika e çimentos.
“Benita Fruitis” ishte edhe oferuesi i dytë për nga çmimi më i lartë për të blerë tokën ku do të ndërtohet fabrika.
“Oferta jonë ka qenë në vlerë përafërsisht rreth 450 mijë euro. Benita Fruits sh.p.k., aktivitetin ekonomik primar e ka kultivimin e pemëve, prandaj ka qenë për shfrytëzim-plantacion i pemëve. Nuk është e vërtetë që ne kemi pasur biseda të tilla rreth shfrytëzimit ose ndërtimit të fabrikës së çimentos me asnjë kompani vendore ose investitor të jashtëm.”
Ndonëse thotë se ka planifikuar që këtë pronë ta shfrytëzojë për plantacion të pemëve dhe kërkon garanci shtesë rreth mbrojtjes së mjedisit nga kompania “Wallingford International Kosovo L.L.C.”, vetë Kalludra në të dhënat e Agjencisë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, figuron se është bashkëpronar i një gurthyesi në rajonin e Klinës.
Për parcelën që Kalludra e bleu në 2015 ka nisur një proces gjyqësor, me AKP-së dhe Komunës së Klinës, në akuzën për tjetërsim të pronës shoqërore.
Mirëpo, Kalludra thotë se nuk është në dijeni që AKP e ka paditur Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër për shitjen dhe bartjen në pronësi të kësaj parcele.
Nga kjo agjenci e kanë konfirmuar për KIKS-in se kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të anulojë këtë proces dhe prona t’i kthehet AKP-së.
“Agjencia Kosovare e Privatizimit ka ushtruar Padi në Gjykatën Themelore në Prishtine ku ka kërkuar anulimin e veprimit dhe rikthimin në gjendjen paraprake në Regjistrin e të Drejtave Pronësore në Zyrën Kadastrale të Komunës së Klinës, në atë mënyrë që ngastrat kadastrale nr. P-71010022-00718-2 ZK-Dollc, vendi i quajtur Grobosh, të figurojë e regjistruar ( si ka qenë më parë) në emër të Ndërmarrjes Shoqërore KBI ‘Malishgan’. Lënda është në proces gjyqësor dhe AKP është në pritje të masës gjyqësore”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Gërxhaliu: “Patriotët ambientalë” janë duke i përzënë investitorët, prapa tyre fshihen grupet e interesit
Barrierat me të cilat po përballet jetësimi i këtij projekti janë shqetësuese për ish-kryetarin e Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu.
Gërxhaliu në një lidhje direkte për KIKS-in tha se refuzimi dhe pengimi i kompanisë gjermane “Thyssen Krupp”, e cila do të bëjë ndërtimin e fabrikës së çimentos në Dollc të Klinës, nuk i bën nder imazhit të Kosovës për investitorët e huaj.
“Një investim i tillë, me vetë faktin që kemi të bëjmë më një kompani ‘Thyssen Krupp’ që është një brendi botëror sa i përket teknologjisë, sa i përket standardeve dhe të refuzohet apo pengohet vërtet nuk i bën nder Kosovës dhe imazhi të saj. Me vetë faktin që ‘Thyssen Krupp’ është një brend në Gjermani, duhet të jetë krenari për Kosovën dhe në anën tjetër kemi të bëjmë me një produkt strategjik dhe në qoftë se do ta kemi një veprimtari të tillë, do jemi të çliruar nga importi dhe besoj që në qoftë se gjithmonë do pengohet prodhimi, do ngulfatet ardhmëria dhe perspektiva”, tha ai.
Sipas tij, kauza se me ndërtimin e fabrikave do të ndotet ambienti është pretekst për të mbrojtur grupet e caktuara të interesit, me qëllim të dëmtimit të prodhimit Kosovar.
“Unë kam një brengë se çfarë është duke ndodhur në Kosovë, ku falë ‘patriotëve ambientalë’, janë duke ikur investitorë të shumtë, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në veçanti ata evropianë dhe në këtë drejtim, këta ‘patriotë ambientalë’ janë duke shfrytëzuar këtë momentum që ta dëmtojnë prodhimin që duhet të jetë prioritet i prioriteteve të institucioneve kosovare”, shtoi ai.