Kryetari Latifi në Kuvendin Komunal të Rahovecit: Shpifjet politike nuk më thyejnë, më forcojnë

Prishtinë | 29 Pri 2025 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Rahovecit, kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, u përball me akuza dhe shpifje që ai i cilësoi si të qëllimshme për përfitime zgjedhore, raporton Ekonomi Online.

Ai theksoi se këto akuza dhe shpifje vetëm e forcojnë më shumë dhe shtoi se thashethemet janë përdorur për të dëmtuar imazhin e tij dhe të familjes.

“Djali im ka pasur 11 vjet, kur njerëzit kanë thënë se po vozit BMË, ndërsa unë nuk kam poseduar kurrë një veturë të tillë, sepse qëllimi ka qenë të bëhet fushatë për të fituar zgjedhje. Por, kur jemi tek shpifjet, ne nuk mund t’i ndalojmë. Nuk është temë e kryetarit të shikojë nëse një portal është i regjistruar apo jo. Më vjen keq që ka shpifje dhe improvizime. Ndoshta dikush po ballafaqohet me këto situata, por është një mesele mes deles dhe dhisë. Ballafaqohen me situata dhe shpifje, por ato vetëm më forcojnë. Nuk i marr si njeri, por ka situata që prekin çështje privatësie, të cilat nuk do të duhej të ishin pjesë e politikës”, tha Latifi.

Ai po ashtu bëri të ditur se dhënia e pronës komunale për shfrytëzim ka për qëllim nxitjen e aktivitetit biznesor dhe ruajtjen e pronës publike.

“Nuk krijoj situata, por fatmirësisht që nga vitet ’90 e kam të qartë me çfarë nuk duhet të merremi. Nëse ma zgjasin gjuhën edhe unë flas, por asnjëherë nuk përfshihem në deklarime të ulëta politike. Tani nuk më bëjnë fare përshtypje dhe nuk i lexoj, por në këtë pikë nuk kam ndërmend të merrem me to, sepse jam më i fortë nga karakteri sesa të gjitha portalet po të bëheshin bashkë. Nuk mund të thyhet një njeri nga shpifjet. E kam një vendim këtu, i cili thotë se qëllimi i dhënies së pronës së paluajtshme është ruajtja dhe rritja e saj si dhe zhvillimi i aktivitetit biznesor. Dy arkitektë i kam dhe ju jeni duke folur kot, plus kemi inxhinierë të komunës që na ndihmojnë të gjejmë forma për të marrë ide”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, Afrim Raqi, njoftoi se është përfshirë në rend dite dhënia në shfrytëzim për 99 vjet e një parcele afër ish-Hotel Plaza, me qëllim zhvillimin ekonomik.

“Sa i përket pikës shtesë të dhënies në shfrytëzim për 99 vjet, ajo është pjesë e parcelës ku ndodhej ish-Hotel Plaza. Këto dy parcela kanë qenë në shfrytëzim nga i njëjti pronar. Pas verifikimit të ligjshmërisë, kemi dalë në terren dhe kemi parë që është jofunksionale nëse vazhdojmë pa përfshirë këtë pjesë. Bëhet fjalë për rreth 9 ari. Në të njëjtën kohë, në seancën e kaluar nuk e kemi hedhur në Kuvend për shkak të punimeve që janë bërë shpesh, ndërsa shumica e punimeve janë në përfundim e sipër. E kemi bërë të mundshme që kjo parcelë të bëhet e shfrytëzueshme dhe e kemi parë të arsyeshme që të jepet në shfrytëzim për 99 vjet”, tha Raqi.

Të ngjashme