Së paku 14 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në një sulm ajror të forcave afgane dhe amerikane, pranë qytetit Kunduz të Afganistanit.
Zyrtarët afganë thanë se nuk është ende e qartë nëse viktimat u shkaktuan nga avionët afganë apo amerikanë, të cilët fluturonin në mbështetje të një operacioni në terren.
Në një deklaratë të ushtrisë amerikane thuhet se nuk ka indikacione se avionët e saj janë përgjegjës.
Zëdhënësi i Ministrisë afgane të Mbrojtjes, Mohamad Radmanish, e konfirmoi numrin e viktimave dhe tha se edhe dy civilë të tjerë janë plagosur në sulm.
Në muajin prill, një sulm ajror i forcave afgane mbi një shkollë fetare në qarkun Dasht-e-Arçi të Kunduzit ka lënë të vrarë së paku 50 njerëz, përfshirë civilë.
Edhe forcat afgane, edhe militantët i kanë intensifikuar operacionet në muajt e fundit, ndërsa numri i viktimave civile ka shënuar rekord të ri këtë vit.