Moti me reshje dhe temperaturat e ulëta kanë bërë që në disa zona të Shqipërisë të pezullohet mësimi.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, e cila përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat shprehet se në total janë 280 shkolla në vend, të cilat nuk kanë filluar procesin e mësimit.
“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nisur nga situata atmosferike në vendin tonë për datën 9 janar 2019, bën me dije se disa Drejtori Arsimore Rajonale kanë marrë vendimin për pezullimin e mësimit në disa shkolla.
Sipas raportimeve në Ministrinë e Arsimit, për funksionimin e institucioneve arsimore në arsimin parauniversitar, është pezulluar mësimi për sot në 5 drejtori dhe zyra arsimore si: Gjirokastër, Librazhd, Pukë, Tepelenë dhe Përmet.
Ndërkohë që edhe në disa zyra të tjera arsimore ku disa shkolla ndodhen në zona malore, mësimi nuk është zhvilluar.
Në total janë rreth 280 shkolla kryesore dhe vartëse që nuk kanë nisur procesin mësimor për shkak të kushteve të motit.
Ndërkohë që në zonat e tjera të vendit mësimi vijon normalisht.
Për ato shkolla ku sot mësimi është pezulluar, zëvendësimi i orëve do të bëhet në ditët në vijim.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është në kontakt të vazhdueshëm me drejtorët e drejtorive arsimore, drejtues shkollash dhe prefektët e qarqeve për monitorimin dhe ndjekjen e situatës në terren.”, thuhet në njoftim, shkruan lapsi.al.