Në organizim të Bankës Botërore dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ka vazhduar sot diskutimi i Programit të Ekonomisë Digjitale në Kosovë (KODE). Konferenca dyditore ka mbledhur përfaqësues të disa ministrive, kompanive të telekomunikacionit dhe TI, shoqata industriale dhe përfaqësues të botës akademike.
Banka Botërore është duke e përkrahur Qeverinë e Kosovës në definimin e Programit të Ekonomisë Digjitale në Kosovë (KODE). KODE është masë prioritare për periudhën 2016-2018 e përcaktuar në Programin për Reformë Ekonomike të Qeverisë së Kosovës. Programi KODE do t’ia mundësojë Kosovës realizimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës përmes shfrytëzimit më të madh të infrastrukturës së internetit brezgjerë dhe zhvillimin e bizneseve digjitale dhe shkathtësive digjitale që do të jenë konkurruese globalisht.
Ekonomia e Kosovës gjatë disa viteve të fundit ka dëshmuar rritje në masë të madhe gjithëpërfshirëse. Tani, ekziston mundësia e ndërtimit të një ekonomie konkurruese, e cila do të jetë produktive dhe do të krijojë më shumë vende të punës, në veçanti në komunitete rurale dhe për gratë, duke qenë se këto komunitete gëzojnë nivele më të ulëta të pjesëmarrjes në fuqi punëtore se sa në rajon. Programi KODE mëton të ndërtojë infrastrukturën, shkathtësitë, dhe të zhvillojë biznese punëkrijuese, të cilat do të rezultojnë me eksporte me vlerë më të lartë dhe do të nxisin përfshirjen e banorëve të viseve rurale dhe femrave në ekonominë digjitale globale.
Si pjesë e dialogut aktual për të formësuar Programin, Banka Botërore dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik kanë organizuar një eveniment dyditor, të quajtur Konferenca Kombëtare mbi Programin e Ekonomisë Digjitale në Kosovë (KODE), më 21-22 qershor 2016. Ky eveniment ka grumbulluar disa ministri, kompani të telekomunikacionit dhe TI, shoqata industriale dhe përfaqësues të botës akademike.
Konferenca ngërthen diskutime mbi zhvillimin e infrastrukturës së internetit në vend. Kjo përfshinte identifikimin e rregulloreve dhe veprimeve prioritare që duhet të ndërmerren për të avancuar kushtet e kyçjes në internet brezgjerë në zona rurale, shkolla, ambulanca dhe institucione të tjera publike në vise rurale në pajtim me caqet politike të Qeverisë për internetin brezgjerë për vitin 2020.
Gani Koci, zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik, njëri nga panelistët e konferencës, tha se rreth 30% e zonave rurale gjeografike kanë ende mungesë të infrastrukturës të telefonisë fikse ose mobile. Por, ai tha se operatorët, qoftë ata publikë, ose ata privatë, me përkrahjen e institucioneve përgjegjëse, po punojnë në shtrirjen e kësaj infrastrukture.
“Por krahasuar me një vit më parë, sivjet ka një rritje të qasjes në teknologjinë informative ose në infrastrukturë dhe kjo na inkurajon për një vazhdim të mëtutjeshëm”, u shpreh zv.ministri Koci.
Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave, tha se gjatë viteve të fundit ka një progres dhe se Qeveria do të vazhdojë ta përkrahë fushën e TIK-ut. “Ngritja e ekonomisë botërore varet shumë nga përdorimi i teknologjisë edhe digjitalizimit dhe një progres që do të arrihet në këtë fushë do të ndikojë direkt në përmirësimin e produktivitetit në ekonomi”.
“Në këtë drejtim, për neve është shumë e qartë që ende ka hapësirë për investime, si në sektorin publik ashtu dhe atë privat. Përderisa qeveria ka bërë investime të konsiderueshme këtë fushë, kryesisht në automatizimin e proceseve brenda qeverisë mbetet ende për t’u bërë më shumë që të përmirësohet kjo fushë në raportin mes qeverisë dhe shërbimet që i kryejmë për qytetarët”, theksoi Krasniqi.
Kreshnik Gashi, kryesues i Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), u shpreh se fokusi i infrastrukturës digjitale në kuadër të ekonomisë digjitale është shumë esencial për shkak se infrastruktura është një nga shtyllat njëra ndër kryesorët që mundëson zhvillimin e ekonomisë digjitale.
“Sigurish që kapitali njerëzor dhe shfrytëzimi i infrastrukturës janë po aq të rëndësishme sa vetë infrastruktura. Është shumë më rëndësi të ceket se Kosova ka një ligjin për komunikime të bazuara plotësisht në rregulativën dhe kornizën e BE-së që rregullon fushën e komunikimeve”, tha Gashi.
Diskutimet përgjatë dy ditëve të konferencës u fokusuan në atë se si ekonomia digjitale do të përmirësojë punësimin në Kosovë, duke krijuar më shumë vende të punës, që janë më të mira dhe më përfshirëse. Në këtë pikë, Banka Botërore ka paraqitur gjetjet e një raporti të ri mbi Shkathtësitë për Vende të Punës në Ekonomi Digjitale, dhe rezultatet e përkohshme të pilot projektit Gratë në Punë në Internet (WoW).
Raporti Shkathtësitë për Vende të Punës në Ekonomi Digjitale pasqyron një seri konsultimesh të kryera përgjatë një viti me biznese nga fusha e teknologjisë informative në Kosovë. Ai propozon një mekanizëm të mundshëm për një program për avancimin e shkathtësive në pajtim me kërkesën për to në treg, duke përshpejtuar kësisoj rritjen e eksporteve të TIK duke zhvilluar kapacitetet njerëzore në pajtim me nevojat e firmave të krijuara dhe që do të krijohen në të ardhmen. Fokusi këtu vëhet në përfshihen më shumë femra në këtë sektor, përmes përpjekjeve për të ngritur vetëdijen dhe mobilizuar ato. Kjo do të ngushtojë boshllëkun e theksuar gjinor dhe potencialisht mund të shtojë pjesëmarrjen e grave në ekonominë digjitale, ku vendet e punës kanë të ardhura më të larta se sa në sektorët tjerë dhe nga e cila mund të kalohet më lehtë në degë tjera të ekonomisë.
Gjatë konferencës gjithashtu u paraqitën rezultatet preliminare të pilot projektit WoW të financuar nga Korea Green Growth Trust Fund, e i cili realizohet në dy komuna që nga shkurti i vitit 2016. Programi trajnon femra të reja të cilat inkurajohen të gjejnë dhe kryejnë punë në platformat globale në internet. Diku nga mesi i këtij pilot projekti të trajnuarit veç kanë fituar mbi katërmijë dollarë amerikanë duke ofertuar dhe kryer një sërë punësh që kanë të bëjnë me dizajnin grafik dhe në internet. Rezultatet e këtij pilot projekti do të ndihmojnë në përkufizimin e strategjive më të gjera për të përfshirë më shumë femra në punë digjitale, me ç’rast vendndodhja dhe oraret e tyre të punës do të ishin më fleksibile dhe do tu lejonin më shumë mundësi për tu marrë me obligime familjare dhe shoqërore, duke sjellë potencialisht më shumë gra në fuqinë punëtore.
Duke e bërë internetin në Kosovë një gjë universale dhe të përballueshme në kuptim të çmimit dhe duke ia adaptuar shkathtësitë e punëkërkuesve dhe bizneseve të vendit kërkesës së tregjeve të eksportit, do të sigurohet transformimi i Kosovës në një ekonomi digjitale. Financimi i këtyre përpjekjeve është siguruar nga Korea Green Growth Trust Fund (2014-2016) dhe Public-Private Advisory Infrastructure Facility (PPIAF).