Edhe sivjet, kryeministri i Kosovës shkoi në Turqi në një vizitë katërditore. Në Prishtinë u tha se në takimin me presidentin turk ishte diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik e në mbrojtje, por në Ankara njoftuan se temë ishte edhe çështja e Palestinës. Vizita e Albin Kurtit nisi me pritjen që ia bëri Recep Tayyip Erdogan dhe përfundoi me një darkë të pabesushme, siç e konsideroi ai, me shkrimtarin Orhan Pamuk.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti qëndroi katër ditë në Turqi. Atje shkoi për të dytin vit radhazi. U prit të premtën nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.
Vizitën e nisi në Ankara. Në takimin bilateral dhe drekën e punës që Kurti e pati me Erdoganin, u tha se kishin diskutuar “për marrëdhëniet dypalëshe, raportet ndërinstitucionale, zhvillimet rajonale dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, si dhe ato të sigurisë e mbrojtjes”.
Siç njoftoi Zyra e Kryeministrit, Kurti ia shprehu Erdoganit mirënjohjen për mbështetjen e Turqisë ndaj Kosovës, duke përmendur mbështetjen për anëtarësimin e vendit në NATO e për anëtarësimin në Këshillin e Europës.
“Krahas kësaj, vlerësuam lart kontributin që Turqia jep në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, por edhe në vendin tonë përmes kontingjentit të trupave në kuadër misionit të KFOR-it”, shkroi Kurti në Facebook.
Gjatë ditës, Kurti u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.
“Ky ishte takimi i parë ndërmjet tyre prej se z. Fidan ka marrë detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme. Ata diskutuan rreth fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, me fokus të veçantë në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e ekonomisë, rritjes së shkëmbimit tregtar por edhe mbështetjes së Turqisë në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha zyra e Kurtit.
Kryediplomatit turk, ashtu si Edoganit, Kurti tha se ua shprehu vlerësimin për “kontributin që Turqia jep në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, por edhe në vendin tonë përmes kontingjentit të trupave në kuadër misionit të KFOR-it”.
Ndërmjet takimeve, atë ditë Kurti së bashku me zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Emilija Rexhepi vendosën kurorë me lule në Mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürk, për të cilin kryeministri tha se është “një prej liderëve më të mëdhenj dhe historik të botës që në kohë dhe rrethana shumë të vështira arriti të mbrojë popullin e tij dhe të themelojë Republikën e Turqisë, dhe në të njëjtën kohë të trasojë atë që është e mira për shoqëritë, pra paqen si racionalitet politik”.
Kurti tha se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë “sa vijnë e thellohen”, ndërsa shkroi në Facebook se po punojnë për bashkëpunim ekonomik dhe shkëmbime tregtare.
TRT, transmetuesi publik i Turqisë, tha se në takim Kurti-Erdogan fokus i diskutimit ishte rritja e vëllimit tregtar mes Kosovës dhe Turqisë dhe zhvillimi i marrëdhënieve në shumë fusha, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes.
Duke theksuar se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në çdo fushë, Erdogan u raportua se i tha Kurtit në takim që të bëjë hapa, veçanërisht në fushën e luftimit të terrorizmit. U tha se është diskutuar edhe për zbutjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndër tjerash, TRT raportoi se Erdogan i kërkoi Kurtit mbështetje për Palestinën. Sipas mediumit publik turk, presidenti i Turqisë i tha kryeministrit të Kosovës se “për t’i dhënë fund masakrave të kryera nga Izraeli në Gaza, duhet të rritet presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit, të mbështetet zgjidhja me dy shtete dhe t’i jepet mbështetje aktive Palestinës”.
Në takimin me dyer të mbyllura në Kompleksin Presidencial ishin edhe zëvendëspresidenti turk, Cevdet Yılmaz dhe ministri i Mbrojtjes, Yaşar Güler.
Kjo vizitë i bëri përshtypje publicistit Agon Maliqi, i cili tha se “tendenca historike e liderëve tanë është që, sapo të bëhet puna pak llugë me perëndimin, me u nis me kërku mbështetje në Turqi”.
“Problemi këtu nuk është vetëm acarimi tashmë kronik me perëndimin dhe humbja e busullës sonë orientuese të bazuar në vlera demokratike, por edhe fakti se me manovra të tilla oportuniste tregojmë mungesë respekti për një shtet miqësor si Turqia. Në vend se me e trajtu si partner strategjik me të cilin kemi marrëdhënie të sinqertë e të strukturuar, e shohim më shumë si një gomë rezervë të zorit”, shkroi Maliqi të premtën në një postim në Facebook.
Qëndrimin në Turqi, Kurti e vazhdoi me një vizitë në Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara të shtunën.
Aty delegacionin kosovar e pritën koordinatori i kësaj qendre, Serdal Vardar, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Blerta Kadzedaj, zëvendësambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hanif Dauti, kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po studiojnë dhe përgatiten në Turqi e studentë shqiptarë të universiteteve në Ankara, së bashku me nxënës të gjuhës shqipe dhe pjesëtarë të mërgatës.
Kurti i ftoi studentët dhe nxënësit që të vijnë në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, sa herë të kenë mundësi, dhe i inkurajoi ata që “ta mësojnë sa më mirë e sa më shumë gjuhën shqipe, e cila është një gjuhë e bukur e me sintaksë të fortë”, siç e citoi kryeministrin zyra e tij
“Jemi komb i flamurit, por para së gjithash e mbi të gjitha jemi komb i gjuhës, i gjuhës shqipe të cilën duhet ta kultivojmë me dashuri dhe me përgjegjësi ta bartim brez pas brezi”, u shpreh Kurti.
Më pas, ai shkoi në Stamboll. Shkoi te varri i rilindasit Sami Frashëri për të vendosur lule.
Mbrëmjen e së shtunës, Kurti e kaloi me disa afaristë shqiptarë e me prejardhje shqiptare, të cilët i ftoi që të investojnë në Kosovë, duke ua përmendur, ndër tjerash, “çmimin e lirë të energjisë elektrike”.
Zyra e Kryeministrit tha se Kurti në darkë me ta foli për “mjedisin e favorshëm për investime në Kosovë, përfshirë këtu çmimin e lirë të energjisë elektrike, fuqinë punëtore profesionale, politikat fiskale dhe faktin që Kosova së fundmi ka marrë vlerësimin e saj të parë kreditor sovran nga Fitch Rating”.
Kurti iu bëri thirrje pronarëve dhe përfaqësuesve të bizneseve që të vijnë në Kosovë “të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi ynë dhe të investojnë”. Për këtë, ai tha se Qeveria do të ofronte mbështetje “me infrastrukturën ligjore dhe mekanizmat shtetërorë në mënyrë që investimi të jetë i sigurt dhe fitimprurës”.
Të nesërmen, Kurti shkroi në distriktin Zeytinburnu të Stambollit, ku pati një takim me komunitetin e mërgatës “Qendra Kulturore në Zeytinburnu/Zeytinburnu Kültür Merkezi”.
Të pranishmëve që e pritën, Kurti iu tha se “marrëdhënia jonë me Turqinë është e fortë, e gjerë dhe e thellë, marrëdhënie edhe historike edhe kulturore”.
“Ne dëshirojmë, që marrëdhëniet e shkëlqyera që i kemi me Republikën e Turqisë, t’i avancojmë edhe më tej në bashkëpunim sidomos në dy fusha: në ekonomi e tregti në njërën anë dhe në mbrojtje e siguri në anën tjetër”, tha Kurti atje.
Të hënën, Kurti do të merrte pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve të Kosovës dhe Turqisë në Stamboll, të cilin ai e konsideroi si hap të rëndësishëm për bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve.
Para forumit, u prit nga ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat, në një takim ku u tha se “u trajtuan mundësitë dhe hapat e mundshëm përpara për rritjen e investimeve të dyanshme”.
Forumi Ekonomik që u mbajt në Stamboll u konsiderua si një prej hapave konkretë në këtë drejtim.
Në hapje të këtij forumi, Kurti përmendi në fjalën e tij se aty po merrnin pjesë dhjetëra kompani të suksesshme nga Kosova që “duke demonstruar potencialin dhe perspektivat investuese që ofron Kosova për investitorët turq”.
Kurti tha aty se “Kosova është njohur si vendi më demokratik në Ballkan”, pranaj sipas tij “paraqet një destinacion ideal për bizneset turke që kërkojnë të rindërtojnë njësitë e tyre prodhuese në një vend të orientuar kah vlerave demokratike dhe stabilitetit ekonomik”.
Më pas, Kurti shkoi në kompaninë turke, Baykar, e cila i prodhon dronët Bayraktar TB-2, disa prej të cilëve Kosova i bleu në verën e kaluar.
Drejtuesve të kësaj kompanie, Kurti ua shprehu mirënjohjen për, siç tha Zyra e Kryeministrit, “mënyrën se si është trajtuar me prioritet të lartë çdo blerje e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”.
Kurti tregoi në një postim në Facebook se ka parë nga afër edhe prototipin e fluturakes luftarake pa pilot, Kizilelma.
“Sot, në ambientet e kompanisë, u mirëprita nga vëllezërit, Bayraktar, Haluk dhe Selçuk. Haluk mban medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe mirënjohja më e lartë ushtarake në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, shkroi kryeministri.
Vizitën në Turqi, Kurti e përfundoi me një darkë të pabesueshme, siç shkroi vetë, pasi tha se ishte ftuar nga shkrimtari i njohur, Orhan Pamuk.
Për nobelistin, Kurti tha se ishte shumë i interesuar për Kosovën dhe shqiptarët.
“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, shkroi Kurti në Facebook./GE