Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, priti sot në takim një delegacion nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), i kryesuar nga kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, me të cilin biseduan për mundësinë e harmonizimit të qëndrimeve rreth Udhëzimit Administrativ për Homologim të Automjeteve, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate për medie nga ministria, të dyja palët në takim u dakorduan që ekipet e ekspertëve të të dyja institucioneve të takohen dhe të shiqojnë mundësitë e harmonizimit të këtij udhëzimi administrativ, konform ligjeve dhe në të mirë të sigurisë së qytetarëve e të konkurrencës së lirë.
Ministri Lekaj duke e falënderuar Prestreshin tha se Udhëzimi Administrativ për Homologim të Automjeteve, është në përputhje të plotë me ligjin.
“Konsideroj se ajo që vlenë të theksohet është se Udhëzimi Administrativ për Homologim të Automjeteve, është në përputhje të plotë me ligjin dhe asnjë udhëzim administrativ nuk mund të jetë mbi ligjin, apo jashtë ligjit, por ato hartohën, bëhet debati publik që të jetë sa më i implementueshëm. Asnjë orientim tjetër nuk mund të këtë dhe nëse udhëzimet bien ndesh me ligjet, është organi kompetent, në këtë rast Gjykata Kushtetuese që vendosë se si të veprohet tutje”, tha mes tjerash ministri Lekaj.
Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, tha se është i bindur se të dyja palët mund të ulen në nivel ekspertësh dhe të bëjnë më të mirën e mundshme që udhëzimi në fjalë të jetë në shërbim të qytetarëve në radhë të parë dhe pastaj edhe në të mirë të konkurrencës së lirë.
Sipas komunikatës, Lekaj e Prestreshi, u zotuan që të shqyrtojnë çdo mundësi për të nxjerrë më të mirën, jo vetëm për udhëzimin në fjalë, por edhe për të gjitha rregullativat ligjore që kanë të bëjnë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe për të cilat Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, pretendon se mund të ketë paqartësi dhe konteste.