Diskutohet pasiguria e të dhënave personale prej aplikacioneve të dyshimta mobile

Prishtinë | 27 Nën 2018 | 14:59 | Nga Medina Mehmeti

Në kuadër të Ditës Botërore Kundër Dhunës ndaj Gruas, komuniteti Cyber Security and Privacy, mbështetur nga Kolegji UBT, ka mbajtur trajnimin me temën “Identifikimi, reagimi dhe raportimi i ngacmimit online”.

Gjatë këtij trajnimi u diskutua rreth pasigurisë në internet nga aplikacionet mobile të cilat kërkojnë nga përdoruesit qasje në të dhënat personale siç janë: lista e kontakteve, galeria, etj.

Andin Kryeziu, hulumtues në CSP sqaroi edhe politikat për shfaqjen e reklamave në rrjetet sociale e në aplikacione.

“Aplikacionet mobile përmes të dhënave tona shfaqin reklama të interesave që i marrin gjatë marrjes së të dhënave qe kemi kërkuar ne. Në bazë të interesave tona ata shfaqin reklama të ndryshme dhe përfitojnë nga klikimet në këto reklama. Zakonisht ofrojnë një version pa pagesë, por më vonë për të pas qasje në atë aplikacion duhet me pagu”, tha Kryeziu.

Ai tha se disa te dhëna që marrin app janë kontaktet, lokacioni, fotot në përgjithësi të cilat kanë qasje në memoriet tona dhe në kalendarin tonë.

Endrit Vula, hulumtues në CSP, tregoi se si hakerët mund të futen në të dhënat e përdoruesve të internetit, madje edhe në institucione të rëndësishme.

“Interneti përdoret për qëllime të ndryshme. Ka raste qe kemi persona që njihen si hakerë, ku ata përmes metodave qe shfrytëzojnë janë të aftë të futen edhe në institucione. Institucionet më të shpeshta janë ato financiare”, tha Vula.

Sipas tij, mënyra për t’u mbrojtur nga hakerët është shfletimi i sajteve të sigurta.

“Se si mund të mbrohemi nga hakerët është me shfletu sajte të sigurta në internet. Më të sigurtit janë Microsoft Edge, Google Chrome dhe Mozilla Firefox”, ka thënë Vula.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme