Diskutohet për sistemin e ri të përgjegjësive disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Prishtinë | 18 Jan 2019 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Prishtinë, 18 janar 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Bahri Hyseni, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ka mbajtur një takim koordinues për të diskutuar zbatimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyrës së BE-së, Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative të KGJK-së, Drejtori i Sekretariatit të KPK-së dhe Drejtori i Sekretariatit të KGJK-së.

Kryesuesi i KPK-së, z. Bahri Hyseni, ka thënë se qëllimi i këtij takimi të përbashkët me përfaqësuesit e KGJK-së dhe partnerët ndërkombëtarë është diskutimi i hapave konkretë që kërkohen me ligjin e ri për zbatimin e suksesshëm të sistemit të ri të përgjegjësive disiplinore. “Transformimi i sistemit disiplinor kërkon parapërgatitje intensive për vendosjen e çështjeve të rëndësishme në binarë të duhur dhe për të bërë ndryshimin brenda afateve të përcaktuara kohore”, ka theksuar më këtë rast z.Hyseni.

Në këtë takim u arrit pajtimi që të dy këshillat të udhëheqin procesin e transformimit të sistemit disiplinor përmes hartimit të akteve përkatëse normative, përfundimit të raporteve që janë në punë dhe përgatitjen për trajtimin e rasteve të reja, ashtu siç parashihet me ligjin e ri për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gjithashtu në vijim u mor edhe mbështetja nga ana e partnerëve ndërkombëtarë për procesin e zbatimit të sistemit të ri të përgjegjësive disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Të ngjashme