Xhudistja Distria Krasniqi nuk ka arritur të rrëmbejë medalje në Mastersin e Rusisë, megjithatë ka arritur të përfundojë e pesta në kategorinë deri 52 kilogramë.
Në garë për të bronztën ajo u mposht nga braziliania, Erika Miranda.
Driton Kuka ka lavdëruar paraqitjen e saj në Masterstin e Rusisë, që njëherësh është rezultati më i mirë i saj në Masters.
“Distria e pesta në Masters. Shënoi dy fitore dhe pësoi dy humbje. Ishte në nivel të lartë Distria sot por mungoi medalja e shumëdëshiruar”, ka shkruar Kuka.
Ai më tutje ka shtuar, “sot në xhiron e parë mposhti hungarezen Pup Reka me Ippon e mandej tri lufta me tri koloset botërore. Radhazi Disi sot u ndesh me tri medalistet e Botërorit të fundit. Mposhti nënkampionen aktuale Botërore japonezen Tsunoda, e u mposht dy herë, të dy herët në Golden Score me rusen Kuzjutina dhe brazilianen Miranda”.
Kuka ka theksuar se, “rezultati më i madh i Disit në Masters ku deri tash kemi arritur të fitojmë medaljen e artë të fituar në Tyumen të Rusisë para disa vitesh nga kampionia Olimpike Majlinda”.